Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar direkt qasjen e përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, në raport me Serbinë dhe qasjen që ndjek ai.
Në një intervistë për mediumin boshnjak Istraga, Kurti deklaron se ka shumë rate kur është dakord me Escobarin, “por ka edhe disa gjëra ku nuk pajtohemi”.
“Për shembull, ne kemi konstatuar se kemi mendime të ndryshme në lidhje me projektet e Open Balkans. Dhe nga ana tjetër, mendoj se ai (Escobari) dëshiron të mirën për Serbinë”.
“Ai i uron mirë edhe Kosovës. Ai i uron mbarë rajonit tonë, por zoti Escobar mendon se diplomacia, me sjellje jashtëzakonisht të mira ndaj Beogradit, do t’i kthehet atij. Por, ne që jetojmë këtu e dimë që nuk është kështu. Sepse Beogradi, duke mos qenë demokratik, vetëm sa përforcon pikëpamjen se bujarinë e kuptojnë si frikë ndaj tyre”, tha Kurti.
Në pyetjen e radhës, gazetari i thotë Kurtit se a mos i duket atij se Escobar po i bën lëshime Serbisë.
“Mendoj se sjellja dhe deklaratat e zotit Escobar ndaj Beogradit janë lëshime”, tha Kurti.
“Por nga ana tjetër Beogradi nuk i kupton këto lëshime. Ata nuk mendojnë se janë virtyt i Escobar këto lëshime. Ata nuk mund të mendojnë se kjo është bujaria e Amerikës. Ata mendojnë, se kanë frikë nga ta. Kështu thonë ‘le të kërkojmë edhe më shumë’. Mendoj se edhe zoti Escobar, nëse nuk e ka kuptuar deri tani, do ta kuptojë shumë shpejt se kjo bujari ndaj Beogradit nuk ia vlen”.
Gazetari i mediumit boshnjak nuk ndalet me kaq.
I thotë Kurtit se “që kur Escobar erdhi në pozitën e të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi janë bërë të paqëndrueshme”.
Prandaj, e pyet, “a është kjo pasojë e lëshimeve ndaj Beogradit?”.
“Mendoj se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e situatës në të cilën kemi neutralitetin e rremë të Beogradit ndaj Federatës Ruse. Dhe nuk mund të jesh neutral midis zjarrfikësit dhe zjarrit. Çfarë neutraliteti është ai. Por Beogradi pretendon të jetë neutral në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës. Ky neutralitet është i rremë. Por nga ana tjetër, ju keni neutralitetin e Perëndimit demokratik ndaj këtij neutraliteti të rremë. Neutraliteti i Perëndimit ndaj neutralitetit të Serbisë është neutralitet i vërtetë”, pohon Kurti derisa luan me fjalën neutralitet.
“Ndërsa neutraliteti i Serbisë ndaj Federatës Ruse është neutralitet i rremë. Mendoj se nga kjo premisë kemi këto pasoja të sjelljes së Beogradit. Mendoj se shumë shpejt zoti Escobar do ta kuptojë se t’i japësh diçka Serbisë nuk e bën atë më të mirë. Në të kundërtën. Mendoj se kjo lidhet me faktin se Beogradi nuk është distancuar nga e kaluara e tij kriminale dhe nga regjimi i Millosheviçit. Nga ana tjetër, nuk u distancua nga e kaluara kriminale e Kremlinit dhe presidentit Putin. Mendoj se ky mos distancim i dyfishtë i Beogradit është problem, sepse Serbia nuk mund të bëhet kurrë demokratike dhe të jetë në paqe me fqinjët e saj”.