Presidenti serb, i cili është edhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka urdhëruar që ushtria dhe të gjitha njësitë ministrisë së Punëve të Brendshme të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, transmeton Radio Televizioni i Serbisë.
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, tha mbrëmjen e 26 dhjetorit se Vuçiç ka urdhëruar që “Forcat e Armatosura të Serbisë të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, gjegjësisht gatishmërisë deri në nivelin e përdorimit të forcës së armatosur”.
Ai tha se rritja në nivelin më të lartë të veprimit nga ushtria serbe bëhet për të “mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe për mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, duke parandaluar terrorizmin dhe terrorin ndaj serbëve kudo që jetojnë”.
“Nuk ka arsye për panik, por ka arsye për shqetësim, sepse duket se Serbia është e vetmja palë e interesuar për të biseduar, për marrëveshje politike, për t’u takuar qoftë edhe një mijë herë derisa të gjendet ndonjë marrëveshje”.
“Pala tjetër është duke bërë vazhdimisht lëvizje të njëanshme, ngritë tensione dhe vazhdimisht çon në përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, që për mendimin tim, ka një synim të qartë për pastrim të plotë etnik të Kosovës dhe Metohisë”, tha Vuçeviq.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Bratislav Gashiq, tha mbrëmjen e 26 dhjetorit se kishte urdhëruar gatishmërinë e plotë luftarake të të gjitha njësive të MPB-së.
“Kam urdhëruar gatishmërinë e plotë luftarake të të gjitha njësive të MPB-së, xhandarmërisë, njësisë speciale antiterroriste dhe brigadës së Policisë”, tha ai.
Presidenti i Serbisë, Vuçiç, në një postim në rrjetin social, Instagram, më 26 dhjetor tha se “do t’i marrë të gjitha masat për të mbrojtur popullin serb në veri të Kosovës”.
“Ne po bëjmë çmos për të ruajtur paqen dhe stabilitetin. Fatkeqësisht, ata nuk donin të na dëgjonin ose nuk u interesuan të na dëgjonin. Sot edhe Patriarkut Porfirije i ndalohet hyrja në Kosovë dhe Metohi, kjo nuk ka ndodhur kurrë në histori”, tha ai.
Duke folur për barrikadat, Vuçiç tha se ato janë vetëm një shenjë pakënaqësie.
“Prandaj, dua t’ju informoj se jemi në një situatë të vështirë, por do të bëjmë punën tonë më së miri dhe se do të kujdesemi në çdo mënyrë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, dhe jo vetëm kaq, por edhe ta mbrojmë popullin tonë në veri të Kosovës”, tha ai.