“Solar për Kosovën”, BE jep 80 milionë euro për projektin e energjisë diellore

Kosova, më në fund do të nisë së ndërtuari një impiant solar, projekt ky që do të shfrytëzojë energjinë nga dielli për ngrohje qendrore. Projekti i emërtuar tani “Solar për Kosovën – Ngrohje Qendrore me energji diellore”, ishte shumë i nevojshëm për nevojat energjetike të vendit.

Është nënshkruar marrëveshja e huasë dhe grantit për projektin “Solar për Kosovën – Ngrohje Qendrore”.

Projekti në tërësi ka vlerën prej 80 milionë euro, për çka është konsideruar i rëndësishëm për kryeqytetin dhe për mbrojtjen e ajrit.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se janë dy marrëveshje të granteve dhe se me këtë projekt do të ruhet energjia për shtrirjen më të madhe të ngrohjes qendrore.

“Ky projekt është i pari në rajon, i cili përdor në masë të madhe energjinë diellore. Projekti në tërësi shkon në vlerën në mbi 80 milionë euro. Projekti si j tillë është unik, paraqet një nder kapacitetet më te mëdha për ngrohje diellore, e cila ruhet për t’u përdorur pastaj për ngrohje qendrore edhe për 38 mijë qytetarë që nuk kanë pasur qasje më parë në ngrohje qendrore”, ka thënë Murati.

Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog ka thënë se Kosova ka potencial të madh për energjinë dhe është me rëndësi që të ketë alternativa të tjera për energji termike.

“Është një moment shumë i rëndësishëm për ne për të pasur energji diellore. 37 mijë qytetarë do të përfitojnë prej furnizimit me energji të gjelbër. BE mbështet edhe Kosovën për zhvillim të qëndrueshëm. Këto projekte do të kenë ndikim afatgjatë. Kosova ka potencial të madh për energji, por ju mund të bëni edhe më shumë për tranzicionin”, ka deklaruar ai.

Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Conrad ka potencuar se ky është lajm shumë i mirë dhe hap përpara.

“Dua të përgëzoj të gjithë partnerët për këtë bashkëpunim. Gjermania është përkushtuar që të ndihmojë Kosovën, ky është edhe angazhimi jonë më i madh i Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, për Kosovën ne veçanti. Gjermania ka luajtur rol kryesor në dy dekadat e fundit në zhvillimin e energjisë. Përvoja me krizën e energjisë ka treguar është me rëndësi që të përshpejtohet gjetja e burimeve të tjera”, është shprehur ai.

Projekti kap vlerën mbi 80 milionë euro dhe përfshin dy grante nga Qeveria Gjermane dhe BE-ja në vlerë prej 31.6 dhe 21.5 milionë euro respektivisht, për t’u zbatuar përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW). Ndërsa pjesa tjetër e projektit financohet nga një kredi e butë nga BERZH-i në vlerë prej 23.2 milionë.

Projekti i paralajmëruar në pranverë me emërtimin “Solar4Kosova” tani i emërtuar si “Solar për Kosovën – Ngrohje Qendrore me energji diellore”, dhe i transformuar disi dhe me fuqi instaluese paksa të reduktuar, jo vetëm se po vije në momentumin më të përshtatshëm dhe më të favorshëm, kur kriza energjetike është shpërfaqur me tërë ashpërsinë e vet edhe në vendin tonë, por edhe kur Kosovës i nevojitet një kapacitet i energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë. Nisma ka rëndësi shumë të madhe, sikundër që pati inaugurimi para një viti e më shumë, i Parkut të energjisë në bazë të erës me kapacitet 105 megavatësh, në Shalë të Bajgorës.

Kosova po paralajmëron se po nis epokën e re të prodhimit të energjisë së rinovueshme, aq shumë të kërkuar nga bota energjetike ndërkombëtare, për të sfiduar gradualisht qymyrin e “dënuar” tani gjithandej dhe gjithanshëm në mbarë botën si një nga ndotësit potencialë të ambientit./Fatos Shala/ Monitor.al

Leave a Comment

Your email address will not be published.