Serbët bllokojnë rrugën për në Kosovë, shumë mërgimtarë po kthehen

Një grup serbësh kanë vendosur një barrikadë në rrugën Prishtinë – Nish, pak kilometra brenda terrritorit të Serbisë, të martën në mbrëmje. Për pasojë, vendkalimi kufitar midis Kosovës dhe Serbisë, në Merdar, në afërsi të Podujevës, është mbyllur në të dyja drejtimet.

Mediet në Serbi raportuan se barrikada është vendosur nga 20 serbë, në shenjë solidariteti e mbështetjeje për serbët në pjesën veriore të Kosovës.

Lajmi është konfirmuar edhe nga organizata Eagles of Europe, e cila njofton se disa prej serbëve që e kanë bllokuar rrugën janë të veshur me uniforma ushtarake.

“Në pikën kufitare midis Kosovës dhe Serbisë në Merdar kanë dalë disa grupe dhe e kanë bllokuar rrugën me automjete të rënda dhe uniforma ushtarake”, shkruan Eagles of Europe në Twitter.

Vendkalimi kufitar në Merdar është ndoshta vendkalimi kryesor kufitar midis Kosovës e Serbisë, ndërsa rruga e bllokuar nga serbët është lidhja kryesore e Kosovës me vendet e Evropës.

Mediet e Kosovës raportojnë se një numër mjaft i madh kosovarësh që po vinin për festat e fundvitit në Kosovë nga vendet e Evropës janë bllokuar në rrugë. Ata që kanë komunikuarmetelefon metë afërmit e tyre në Kosovë kanë treguar se kolona e automjeteve deri të barrikada është më e gjatë se dy kilometra. Sipas raportimeve, policia e Serbisë, për arsye të panjohura, nuk i ka lejuar ata as të kthehen prapa dhe të udhëtojnë drejt vendkalimeve tjera kufitare, në pjesën lindore të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, përmes rrjetit social Facebook, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që po udhëtonin nëpër Serbi që të udhëtojnë drejt dy vendkalimeve tjera kufitare, Mutivodë dhe  Dheu i Bardhë, ose të vazhdojnë rrugën drejt përmes Maqedonisë së Veriut, nëpër vendkalimin kufitar afër Preshevës.

“Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Policia e Kosovës fton qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare, duke përjashtuar pikat kufitare në Jarinjë, Bërnjak dhe “Merdar.

“Në orët e vona të mbrëmjes së datës 27.12.2022, bazuar në informacionet e siguruara, nga persona të dyshuar është bllokuar rruga në territorin e Serbisë që e lidhë me Republikën e Kosovës.

Bllokimi rrugës është bërë afërsisht në kilometrin e dytë në territorin e Serbisë, nga pika kufitare Merdar, e cila për shkak të kësaj bllokade është mbyllur për qarkullim.

Një bllokim i tillë i kundërligjshëm ka pamundësuar lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, andaj ftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim, duke përjashtuar pikat kufitare Jarinjë, Bërnjak dhe Merdar, deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Leave a Comment

Your email address will not be published.