Chollet: Nuk përkrahim një Asociacion si Republika Serbe

Dje në Kosovë ka qëndruar këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet i cili ka zhvilluar takime me krerët e shtetit si dhe opozitën. Chollet ka deklaruar se është momenti kritik që Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse në qendër me njohjen reciproke.

Ai po ashtu ka thënë se krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim ligjor i Qeverisë së Kosovës.

Në anën tjetër ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të përkrahnin aranzhime si ato të Republikës Serbe.

“Jemi në një moment kritik. Ne besojmë që Kosova me Serbinë duhet angazhohen urgjentisht në dialogun e fasilituar dhe udhëhequr nga BE-ja, që punon drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhënie të normalizuara që ka në qendër njohjen reciproke”, ka deklaruar Chollet në një takim me përfaqësues të mediave.

“Ne besojmë që ky dialog është mjeti më i mirë për Kosovën që të sigurojë të ardhmen e vetë të plotë euroatlantike. Dhe presim nga Kosova t’i plotësojë të gjitha obligimet e saj nën dialog që përfshinë themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Ne mendojmë që kjo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Mendojmë që zhvillimet e fundit vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë e themelimit të tij.

Ne presim nga Qeveria e Kosovës të paraqesë disa propozime në tavolinë. Dua ta bëjë të qartë që ne nuk e përkrahim dhe nuk do ta përkrahim aranzhime si ato të Republikës Serbe dhe nuk po i kërkojmë Kosovës të përkrahë çfarëdo aranzhimi që nuk është në përputhje me Kushtetutën e vet dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar, Marrëveshja e Brukselit – Gjykata Kushtetuese ka vendosur që është e domosdoshme të themelohet komuniteti i komunave me shumicë serbe dhe që ne besojmë që formimin e tij e bën ligjërisht obliguese për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Chollet.

Kurti mendon krejt ndryshe rreth Asociacionit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mediumin austriak “Der Standard”, ka folur edhe njëherë mbi themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një pyetje që Kurtit po i bëhet shpesh.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon formimin e Asociacionit mbi baza etnike, dhe për këtë ka cituar edhe planin e Ahtisaarit, ku theksohet se “Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike”.

Tutje, Kurti parashtroi edhe pyetjen se pse marrëveshja e Ahtisaarit nuk po del të jetë e mjaftueshme, pasi sipas tij, kjo marrëveshje i mbron tej mase serbët në Kosovë.

“Kushtetuta jonë nuk lejon shoqata të bazuara në kritere etnike, sepse paragrafi i parë i planit të Ahtisaarit thotë: Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike. Pra mund të kërkohet bashkim përgjatë maleve të Rugovës apo maleve të Sharrit, por ai nuk duhet të bazohet në identitet kombëtar. Pyes veten edhe pse marrëveshja e Ahtisaarit nuk duhet të jetë e mjaftueshme – ajo përmban shumë mbrojtje të pakicave për serbët. Kur bëhet fjalë për Asociacionin serb të Komunave, dua t’i referohem edhe Bosnje-Hercegovinës. Më 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe atje u bashkuan dhe themeluan një shoqatë; më 9 janar 1992 shpallën pavarësinë dhe më 28 shkurt 1992 miratuan kushtetutën, më 14 shkurt 1992”, ka deklaruar Kurti për mediumin austriak.

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.