Në fshatin Reçak, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, më 15 janar të vitit 1999. Numri më i madh i viktimave u gjet në Kodrën e Bebushit, ndërsa të vrarë kishte edhe në pjesë të tjera të fshatit.
Skenat e tmerrshme të vitit 1999, u bënë jehonë në mediat ndërkombëtare, çka ndikoi në mobilizimin e opinionit publik. Kësisoj, falë publikimit të kësaj masakre dhe ndërhyrjes së qendrave vendimmarrëse në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjenocidi i Serbisë mori fund njëherë e përgjithmonë.
Për këtë fund të krimeve të renda nga Serbia për vrasjen 45 shqiptarëve të pafajshëm, në këtë fshat, Kuvendi i Kosovës shpalli 15 janarin si Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë.
Prandaj sot, në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, përkujtohen civilët e vrarë 24 vjet më parë në fshatin Reçak, të gjitha viktimat e masakrave në Prekaz, në Likoshan, në Qirez, në Abri, në Poklek, në Podujevë, në Suharekë, në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, në Celinë, në Mejë dhe qindra masakra që ndodhën para dhe pas 15 janarit 1999.
Qytetarët e Prishtinës janë njoftuar se sot do të ndizen qirinj në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë duke filluar në ora 19:30
Ndërkaq edhe në qytetet tjera të Kosovës si dhe fshatra do të organizohet ndezja e qirinjve.
Këto janë vendndodhjet kryesore ku do të ndizen qirinj të dielën më 15 janar nga ora 19:30:
Tubime përkujtimore janë organizuar në Zvicër, Danimarkë dhe Spanjë.
Qytetarët që nuk mund të dalin në sheshe, janë ftuar që të ndezin qirinj në dritare dhe ballkonet e tyre.
Çfarë ndodhi në masakrën e Reçakut
Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, ushtarake dhe paraushtarake serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprerjes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi. Në këto momente mjaftë të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjenin një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e bëri të pamundur një gjë të tillë. Nga ky rrethim u ekzekutan 45 shqiptarë.
Një ditë pas kryerjes së masakrës, William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, vizitoi vendin e ngjarjes u tmerrua nga kufomat e masakruara. Ai deklaroi se kishte parë ngjarjen më të trishtë të jetës së tij.
“Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time.” Lajmi i masakrës senzibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s në Serbi.
Hovenier: Askush mos ta harrojë apo mohojë atë që ka ndodhur në Reçak
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ka përsëritur fjalimin e vitit të kaluar që e ka mbajtur në ceremoninë përkujtimore.
Ambasada amerikane ka shpërndarë një citat të tij, ku thuhet se askush nuk duhet ta harrojë apo mohojë këtë masakër.
“Askush mos ta harrojë apo mohojë atë që ka ndodhur këtu. Në përgjigje të kësaj mizorie dhe të tjerave, SHBA bashkë me aleatët e NATO-s, vepruan për mbrojtjen e civilëve të pambrojtur, në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit. Këto qëllime pasqyrojnë vlerat e thella të Amerikës dhe Perëndimit. Ne besojmë që të gjithë njerëzit, pavarësisht etnisë apo fesë, meritojnë dinjitetin e të jetuarit në liri dhe siguri”, ka thënë Hovenier.