Chollet: Asociacioni në formën e Republikës Sërpska është një vijë e kuqe që SHBA-ja s’do ta lejojë

Çështja e formimit të Asociacionit vazhdon të jetë ‘temë e nxehtë’ edhe për faktorët ndërkombëtarë. Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, teksa foli për të, tha se ShBA e ka bërë të qartë se duhet të formohet. Të qartë, po ashtu, Chollet tha se e kanë bërë faktin që kjo nuk nënkupton një tjetër Republikë Sërpska.

Këshilltari Derek Chollet konsideron se Asociacioni është zotim që është bërë në të kaluarën. Ai tha se, në përceptimin e ShBA’së, krijimi i tij është në përputhje me Kushtetutën dhe se nuk nënkupton një tjetër Republikë Sërpska.

Chollet deklaroi se Kosova megjithatë ende nuk ka paraqitur ndonjë propozim, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Ende jo, fatkeqësisht. Mirëpo, ne kemi qenë shumë të qartë – publikisht dhe privatisht – se ne besojmë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet. Janë disa detaje me të cilat duhet marrë. Mirëpo, ne mendojmë se ky është një zotim që është bërë në të kaluarën, ne besojmë se krijimi i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ne jemi shumë të qartë me kolegët tanë në Prishtinë që kjo nuk është diçka sikurse Republika Sërpska, si entitet. Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranonin këtë dhe kjo nuk do të ishte diçka që do të çonim përpara”, deklaroi Chollet në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Një Asociacion si Republika Sërpska, Chollet tha se është “një vijë e kuqe” për ShBA’të.

“E gjitha që mund ta them është se ne do të vazhdojmë ta bëjmë të qartë, publikisht dhe privatisht, rëndësinë që ka për neve dhe vijën e kuqe që kjo nuk është një Republikë Sërpska.”

Lidhjen e Asociacionit me Kushtetutën e Kosovës, këshilltari amerikan e bëri edhe në faktin se formimi i tij do të siguronte më shumë të drejta për komunitetin e serbëve në Kosovë, një ide që ai tha se ShBA’të e promovojnë.

“Mirëpo, e kam dëgjuar drejtpërdrejt nga liderët serbë të Kosovës rëndësinë që ata e shohin në Asociacion, se si ata disi ndihen të shmangur nga vendimet që merren për komunitetin e tyre dhe duan të jenë pjesë e procesit, qoftë edhe duke marrë më shumë përgjegjësi për të ardhmen e tyre. Kjo është diçka që ne promovojmë, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe është zbatim i një vendimi që është marrë kohë më pare”, tha ai.

Pavarësisht një mungese të hapave drejt themelimit të Asociacionit nga autoritetet në Kosovë, këshilltari amerikan tha se përpjekjet e ShBA’së për të nuk do të ndalen.

Kjo pasi theksoi se ende ka shumë pasiguri mbi atë se çka përfaqëson Asociacioni.

“Ne do ta bëjmë pjesën tonë në tentimin për ta çmitizuar Asociacionin në disa mënyra, sepse mendoj se ka shumë pasiguri lidhur me çfarë është Asociacioni dhe çfarë nuk është”, deklaroi ai.

“Ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do ta bëjmë pjesën tonë në tentim për t’u siguruar se çfarë është Asociacioni dhe çfarë nuk është. Por, ne mendojmë se ka ardhur koha që Asociacioni të zbatohet”, përfundoi Chollet.

Kujtojmë se organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung, të mërkurën konfirmoi se ka hartuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – për të cilën gjë është rënë dakord në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Rene Schlee, nga kjo organizatë, tha se beson se ky draft “është një bazë e mirë, e cila pas publikimit meriton të diskutohet nga aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë”.

“Ne do të organizojmë një prezantim publik të draftit në kohën e duhur”, tha Schlee për Radion Evropa e Lirë, por nuk specifikoi më shumë.

Leave a Comment

Your email address will not be published.