Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill tha sot Serbia tashmë po paguan “një çmim shumë të lartë” për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Hill nuk bëri të ditur se për çfarë bëhet fjalë konkretisht, transmeton Reporteri.net.
“Ne e kuptojmë se Serbia ka një marrëdhënie historike dhe përvojë me sanksionet, por ajo ka filluar të paguajë një çmim shumë të lartë për përmbajtjen e saj ndaj sanksioneve kundër Rusisë që u miratuan për të ndaluar sulmin brutal ndaj fqinjit të saj”, tha Hill para mediave në Serbi.
Megjithatë, Serbia ka refuzuar t’i vendosë sanksione Rusisë për luftën e paprovokuar në Ukrainë.
Kjo e bën Serbinë si të vetmin shtet kandidat për t’u anëtarësuar në BE, që nuk pranon të vendosë sanksione, raporton ewb, transmeton Gazeta Online Reporteri.net. Lajmin e ka bërë të ditur Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Në njoftim thuhet se Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina kanë respektuar pesë vendimet e Këshillit të BE-së në lidhje me sanksionet kundër Rusisë.
“Ato vende do të sigurojnë që politikat e tyre kombëtare të jenë në përputhje me vendimet e Këshillit dhe BE-së”, pohoi Borrell.
Kujtojmë se në listën e shteteve që i vendosën sanksione Rusisë për luftën në Ukrainë është edhe Kosova, që po ashtu aspiron të anëtarësohet në BE.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka filluar në shkurt të vitit të kaluar, dhe po vazhdon ende me pothuajse të njëjtin ritëm që nga fillimi.