Ish-kryeministri bullgar: Putin po përgatit një konflikt të frikshëm në Maqedoninë e Veriut

Ish-kryeministri bullgar, Bojko Borisov, deklaroi të shtunën në Sofje se struktura të caktuara po përpiqen ta kthejnë Maqedoninë e Veriut nën ndikimin e Rusisë.
Ai nuk saktësoi se kush janë ato struktura, por pretendimet e tilla i ndërlidhi me incidentin e 16 janarit në Ohër Maqedoninë e Veriut, ku u sulmua fizikisht një pjesëtar i një klubi bullgar në këtë qytet.

“Këtu shoh një përpjekje për ta kthyer Maqedoninë e Veriut nën ndikimin rus, qëllimisht, dhe kjo po bëhet shumë aktive. Në asnjë rrethanë nuk duhet të mashtroheni. Gjëja më e mirë për Bullgarinë është që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të jenë në Bashkimin Evropian dhe NATO”, tha Borisov në një konferencë për media të partisë BERG.

Ish-kryeministri bullgar, Bojko Borisov, tha se do të insistojë që përgjegjësit për rrahjen e sekretarit të klubit bullgar “Car Boris Treti” nga Ohri, Hristijan Pendikov të nxirren para drejtësisë, pasi kjo sipas tij “minon përpjekjet e mëdha që kemi bërë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të ndjekin rrugën e Bashkimit Evropian”.

Borisov tha se Maqedonia e Veriut nuk ka përfshirë në Kushtetutë gjërat e rëndësishme për Bullgarinë dhe nuk i ka mbrojtur bullgarët nga agresioni. Ai akuzoi qeverinë bullgare për injorancë diplomatike.

“Ata lanë nën qilim tema të rëndësishme që çuan në përshkallëzimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, tha ai.

Ish-kryeministri bullgar thotë se “dikush dëshiron shumë që Bullgaria të vërë veton” ndaj integrimit evropian të Maqedonisë.

Mediat bullgare raportuan se Komisioni Parlamentar për Punët e Jashtme në Parlamentin bullgar miratoi një Deklaratë që dënon “aktet e dhunës kundër bullgarëve, klubeve dhe organizatave të tyre”.

Në Deklaratën thuhet se “ndryshimi i Kushtetutës është një domosdoshmëri për Maqedoninë e Veriut për të vazhduar procesin e integrimeve evropiane”.

Më 23 janar Sofja tërhoqi ambasadorin e saj nga Shkup një shenjë pakënaqësie ndaj incidentit në Ohër.

Marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Bullgarisë kanë qenë të tensionuara për më shumë se dy vjet, pasi Sofja bllokoi integrimin e Maqedonisë në BE në vitin 2019 për shkak të një mosmarrëveshjeje historike, gjuhësore dhe identitare. Bllokada u tejkalua në qershor të vitit 2022 dhe filluan negociatat e vendit me BE-në, por Bullgaria kushtëzon hapjen e kapitujve me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, por shumica parlamentare aktualisht nuk ka shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Kuvend. Partitë në pushtet në Maqedoninë e Veriut po punojnë për zgjerimin e qeverisë edhe më opozitën shqiptare me synimin për rritjen e shumicës, por pa votat e deputetëve të VMRO DPMNE-së miratimi do të jetë i pamundur. Ndërkohë opozita maqedonase thotë se ndryshimet nuk do të miratohen ndërsa përsërit thirrje për zgjedhje të parakohshme./REL

Leave a Comment

Your email address will not be published.