Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të Glauk Konjufcës do të jetë përfaqësues i Kryeparlamentarit në takimin për Asociacionin të thirrur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, që parashihet të zhvillohet ditën e nesërme.
Kjo është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga vetë Ilir Kërçeli, sot gjatë ditës.
“Po unë do të jem në takim”, tha shkurtimisht, për Gazetën Online Reporteri.net, shefi i kabinetit të Konjufcës.
Përfaqësues në këtë takim të thirrur nga Ambasadori Jeff Hovenier, e ku do të diskutohet rreth krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, do të ketë edhe nga Presidenca e Kosovës. Kjo për Gazetën Online Reporteri.net është konfirmuar javën që shkoi nga këshilltari për media i Vjosa Osmanit, Bekim Kupina. Por se nuk ka bërë të ditur se kush do të jetë përfaqësuesi nga kabineti i Presidentes Osmani.
Ndërsa, pjesë e këtij takimi nuk do jetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Vetë ky i fundit ka treguar se nuk ka marrë një ftesë të tillë nga amerikanët.
“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë”, njoftoi shefi i ekzekutivit javën që shkoi.
Por për dallim nga i pari i Qeverisë, dy zëvendësit e tij janë ftuar në këtë takim. Emilja Rexhepi e ka konfirmuar pjesëmarrjen, derisa edhe Besnik Bislimi pritet të jetë aty, ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar për të.
Po ashtu, se do të shkojë në këtë takimin në Dragodan, ka njoftuar edhe Ministri serb i Qeverisë Kurti, Nenad Rashiq.
Pjesë e këtij takimi të thirrur nga Ambasada amerikane në Prishtinë do të jenë edhe partitë opozitare. PDK, LDK e AAK i janë përgjigjur pozitivisht thirrjeve për diskutim, përkundër se themelim i Asociacionit vlerësohet nga to si kompetencë dhe përgjegjësi e Qeverisë.
Po ashtu, të pranishëm nesër janë edhe pjesëtarë të shoqërisë civile dhe ekspertë tjerë.
Një ditë para këtij takimi, përmes një teksti autorial, Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, i kanë bërë thirrje përsëri Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Chollet dhe Escobar kanë thënë gjithashtu se ndër qëllimet më të rëndësishme të Amerikës në Ballkanin Perëndimor është që të ndihmojnë në krijimin e kushteve “për marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.
“Gjatë javëve të shkuara, së bashku me Francën, Gjermaninë, Italinë dhe BE-në, kemi udhëtuar në Beograd dhe Prishtinë për të inkurajuar të dyja palët që të pranojnë propozimin e BE-së për të dy vendet që të normalizojnë marrëdhëniet, të ndërprejnë ciklin e krizave dhe konfrontimit, dhe të çojnë përpara me vendosmëri integrimin e tyre evropian. Kjo është mundësi historike që ne besojmë të dy palët duhet ta shfrytëzojnë”, thuhet në tekstin e tyre.