Në kuadër të shënimit të 9 Majit, Ditës së Evropës, Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare në bashkëpunim me Komunën e Çairit këtyre ditëve organizojnë edicionin e pestë tradicional, kushtuar kësaj dite, me moton “Ditët e Evropës”.
Ditën e hapjes, njofton komisioni për informim i manifestimit, ku të pranishëm ishin: ministra, diplomatë, gazetarë, profesorë universitarë dhe studentë, kryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në fjalën e tij të rastit, theksoi rëndësinë e Bashkimit Evropian, dhe përpjekjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt integrimeve euro-atlantike.
Me këtë rast, drejtori i ISPN, Ylber Sela, dhe Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dekoruan pesë personalitete politike, diplomatë dhe gazetarë me mirënjohje dhe me plaketë me portretin e humanistes Nënë Tereza, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm të dhënë në proceset integruese të vendit dhe rajonit. Organizatorët ndan mirënjohje edhe për studentët për ese më të mirë. Me këtë çmim u nderuan: zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ministri i punëve të jashtme të RMV-së, Nikolla Dimitrov, gazetarja Dijana Toska, gazetarit nga diaspora Dashnim Hebibi si dhe ish-ambasadorit të Republikës së Kosovës në Shkup, Ylber Hysa.
“Diplomatit Hysa, çmimi iu nda për mbrojtjen dhe kultivimin e vlerave demokratike euroatlantike në rajon, për kontributin e dhënë diplomatik në përforcimin e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për angazhimi e tij për barazinë e shqiptarëve”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast, Ylber Hysa, duke shprehur falënderimin e tij, ndër tjera theksoi, se ndonëse puna e një ambasadori nuk duket, është e heshtur dhe se kryesisht ajo zhvillohet “prapa perdes”, megjithatë, një mirënjohje e këtillë shpresoj që të jetë vlerësim dhe aprovim i angazhimit tim diplomatik në përforcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje, të cilat ndajnë shumë interesa të përbashkëta.
“Ditët e Evropës” u shënuan edhe me disa aktivitet tjera, njofton komisioni informativ i këtij manifestimi.