Shërbimi Gjeologjik i SHBA ka njoftuar se tërmeti me magnitudë është regjistruar në orën 04:17 me orën lokale dhe ka pasur një thellësi 17.9 km pranë qytetit të Gaziantep.
Autoritetet kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet në orët në vijim pasi shumë persona dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.
Ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu tha se nga tërmeti janë prekur 10 qytete: Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Dijarbakir dhe Kilis.
Një numërim paraprak nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, deklaron se numri i të vdekurve ka arritur në 320 në të gjithë Sirinë.
Tërmeti është ndjerë përgjatë bregut perëndimor të vendit nga Latakia deri në kryeqytetin Damask. Ndërkohë, presidenti sirian Bashar al-Assad kryesoi një takim urgjent herët në mëngjes.
Ministria e Mbrojtjes e Sirisë tha në një deklaratë se “po mobilizon të gjitha njësitë, formacionet dhe institucionet në të gjitha provincat për të ofruar ndihmë të menjëhershme dhe urgjente për banorët e prekur nga tërmeti për të kërkuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja dhe për të trajtuar të plagosurit”.
Nga ana tjetër, spitalet në të gjithë vendin janë të tejmbushura, ndërsa pacientet po qëndrojnë dhe në korridore.
“Ka një nevojë të menjëhershme për furnizime për të lënduarit dhe një përgjigje gjithëpërfshirëse emergjente,” tha një nga përfaqësuesit e spitaleve në një deklaratë.
“Shumë spitale janë plot, por disa objekte kritike, përfshirë Spitalin Al Dana, iu desh të evakuonin pacientët pasi u dëmtuan rëndë nga tërmeti. Po kështu, Materniteti Idlib u detyrua të transferonte të gjithë të porsalindurit në një spital aty pranë”.
Horrori në Turqi nuk ka të ndalur, qendra e vendit është goditur edhe nga dy tërmete shumë të fuqishme. Sipas raportimeve paraprake kanë qenë dy tërmetë njëri pas tjetrit, shumë të fuqishme, 7.7 dhe 6 ballë.
Të paktën 912 njerëz kanë vdekur në Turqi, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan në deklaratë për mediat. Në Siri, të paktën 476 njerëz kanë vdekur në rajonet e Alepo, Hama, Latakia dhe Tartus, njoftoi televizioni shtetëror sirian.
Ekipet e shpëtimit në Turqi shpëtuan mbi 2.400 njerëz nga nën rrënojat e ndërtesave të rrafshuara nga tërmeti
Sokol Brahaj, gazetar shqiptar në Turqi ka folur në Report Tv për tërmetin shkatërrues duke thënë se ndërtesat janë ende në rrezik rrënimi për shkak të pasgoditjeve.
“Tërmeti i fundit është ndjerë gjithandej. Të dhënat e deritanishme janë të frikshme. Në zonën e Adanës janë disa fshatra me shqiptarë. Komunikimi me telefon në zonë është shumë problematik. Po bien ndërtesat për shkak të pasgoditjeve. Janë mbi 50 tërmete pas atij të madhit. Me të vërtetë është një katastrofë shumë e madhe. Media sociale nuk punon shumë.
Qytetet që janë afër Turqisë në Siri janë të dëmtuara. Edhe ndërtesa si spitale e shkolla janë rrëzuar në kufirin me Sirinë. Edhe atje ka pasur rrënime të mëdha e humbje jetësh. Të gjithë bëjnë thirrje që të mos qëndrojnë pranë ndërtesave. Këto do të jenë të vazhdueshme 3-4 ditë thonë ekspertët”, tha Brahaj.