Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Dita e Pavarësisë së Kosovës të shpallet festë zyrtare në Shqipëri

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që 17 shkurti, dita e Pavarësisë e Republikës së Kosovës të shpallet festë zyrtare kombëtare në Republikën e Shqipërisë.

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të këtij Këshilli, thuhet se “duke vlerësuar 17 Shkurtin e vitit 2008, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare; si përmbushjen e një aspirate shekullore të kombit tonë në rrugën e tij drejt forcimit të identitetit, bashkimit kombëtar dhe integrimit në strukturat Euro – Atlantike; si një ditë të shënuar që frymëzon çdo shqiptar; si ngjarje madhore për të cilën kanë kontribuar shqiptarët anembanë botës, me mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve, BE-së, NATO-s dhe vendeve të tjera aleate dhe mike, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Kuvendit, më dt. 21 Shkurt 2023, për të ndërmarrë nismat përkatëse ligjore për ta shpallur këtë datë Festë Zyrtare të Republikës së Shqipërisë”.

Në kërkesë thuhet më tej se Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se një vendim i tillë do të gëzonte dhe do të mbështetej nga çdo shqiptar kudo ku jeton, pavarësisht bindjeve politike.

Leave a Comment

Your email address will not be published.