Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të enjten se aleatët perëndimorë përmes propozimit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë po synojnë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe njohjen në realitet të saj nga Beogradi.
Ai i bëri këto komente në Parlamentin e Kosovës pas kërkesave të opozitës për të sqaruar pozicionin e qeverisë para takimit të së hënës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel. Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian thanë se në takimin e 27 shkurtit pritet të diskutohet për propozimin evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Kryeministri Kurti, tha se propozimi evropian nuk është produkt i negocimit, meqenëse sipas tij më 18 gusht të vitit të kaluar është hapur tema për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, por pa pasur takime për atë temë, “ku pala tjetër nuk ka qenë e interesuar e as e gatshme për këtë, dhe tri javë pas atij takimi vjen propozimi”.
“Pra, nuk është se ne kemi negociuar dhe është sjellë propozimi. Propozimi shumë më shumë ka të bëjë me historinë prej më shumë se një dekade të dialogut të Brukselit. Pra, propozimi nuk është as produkt i përfshirjes së kërkesave negociuese të palëve”, tha ai.