Eranda Dishani, vajza që punon shofere autobusi në linjat ndërkombëtare

Eranda Dishani është një vajzë nga Vlora e diplomuar për mësuesi por që punon shofere autobusi në një agjenci udhëtimesh. Pavarësisht diplomës, ajo zbuloi se pasioni i saj është në rrugë e jo në klasë, ndaj nisi eksperiencën e saj ne drejtimin e mjetit në linjat ndërkombëtare.

33-vjeçarja, Eranda Dishani ka arritur të thyejë tabunë. Prej më shumë se një muaji ajo drejton autobusin me pasagjerë në linjën ndërkombëtare Shqipëri-Itali. Erandën e takojmë në portin e Vlorës, teksa zbarkon me autobus nga trageti. Po kthehet nga një udhëtim i gjatë prej 1300 kilometrash.

Kur u pyet nëse i duket profesion që kërkon angazhim dhe lodhje ajo u përgjigj se e bën me krenari këtë punë.

“Fare! Më mirë të rri në timon se në sendilje. Ndihem krenare për punën time Makinën e vogël ka vite që e ngas, ndërsa më pas mora patentën për kamion dhe autobus. E ndjej veten të zonjën në këtë punë”, thotë ajo.

Impresionet e udhëtimit me Erandën na i rrëfejnë dhe pasagjerët.

“Shumë e vëmendshme, e pashë me sy kritik dhe s’bëri asnjë gabim gjatë gjithë rrugës”, tha një pasagjer.

Por sa e ka ndjerë ajo paragjykimin, kur dihet se në drejtim të autobusëve zakonisht janë burrat.

Si e kanë pritur prindërit tuaj?

“ Ata janë krenarë, por nuk duan ta ushtroj këtë profesion, se kanë merak, ngaqë është rrugë e gjatë”.

A ndiheni e paragjykuar?

“ Jo, më pritën shumë mirë!”

Eranda Dishani na tregon se është diplomuar për mësuesi, por më vonë zbuloi pasionin e saj për të drejtuar autobusë e kamionë. Ajo është ndër të rrallat vajza që transporton pasagjerë në linjat ndërkombëtare.

A ka gra të tjera në linjat ndërkombëtare?

“Jo s’ka jam e vetmja dhe jam krenare që bëj këtë punë. Puna nuk është turp! Unë kam mbaruar ciklin e ulët dhe vetëm 5 muaj punova mësuese e më pas thashë s’jam për këtë punë. Puna më e mirë për mua është kjo. Më jep adrenalinë”, tha Dishani.

33-vjeçarja nga Vlora është e dashuruar me punën e saj dhe nuk i trembet rrugëve të gjatë, udhëton tre herë në javë drejt Milanos./Katror.info

Leave a Comment

Your email address will not be published.