Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si vazhdimësi e mirëmbajtjes së një komunikimi të rregullt, veçanërisht tani në prag të takimit të së hënës në Bruksel.
Në një postim në Twitter, kryeministri Kurti ka thënë se i ka shprehur Cholletit përkrahjen për propozimin e BE-së. Ai thotë se propozimi në fjalë është bazë e mirë për bisedimet e radhës drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti gjithashtu thotë se për normalizim të raporteve, duhet respekt për të drejtat e pakicave në të dy shtetet.
“Një bisedë e mrekullueshme sot me Derek Chollet. Konfirmova mbështetjen për propozimin evropian si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi. Normalizimi i plotë kërkon njohje reciproke në qendër e gjithashtu respekt për të drejtat e pakicave, në të dy shtetet”, shkruan Kurti.
Në anën tjetër, Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, pas bisedës me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se tash është koha për të diskutuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Chollet u shpreh gjithashtu se të dyja palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.
“ShBA-të mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të BE-së”, është shprehur Chollet.
Ndërsa, bisedën me Cholletin, i pari i qeverisë, Albin Kurti, e cilësoi si “telefonatë fantastike”, teksa u shpreh se normalizimi i plotë kërkon njohje reciproke.
“Normalizimi i plotë kërkon njohje reciproke si element kryesor të marrëveshjes dhe gjithashtu respektimin e të drejtave të pakicave në të dy vendet”, deklaroi Kurti
BE-ja pret që Kosova dhe Serbia të hënën ta pranojnë propozimin evropian
Në prag të takimit të së hënës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut në nivel të lartë, në Bruksel janë shprehur se presin që ata, pa diskutime të mëtejme, ta pranojnë propozimin evropian dhe të diskutojnë vetëm për implementimin e marrëveshjes.
Këtë e ka thënë një zyrtar i lartë evropian, duke folur me gazetarët në Bruksel, me kusht anonimiteti.
“Do të jetë takimi i gjashtë me radhë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Por, do të jetë takimi më i rëndësishëm deri më tash sepse takimet e fundit ishim më shumë për menaxhimin e krizave, sesa për normalizim të raporteve. Tash fokusi është te propozimi evropian”, ka thënë ky zyrtar.
“Presim që liderët ta miratojnë propozimin. Nuk duam që të diskutojmë për propozimin dhe përmbajtjen e tij sepse ata e dinë që nga shtatori këtë. Nuk ka hapësirë që të pajtohen për një pjesë e jo për tjerat. Por, jemi të hapur për të diskutuar modalitetet e implementimit”, ka deklaruar ky zyrtar.
Ai ka thënë se pret që diskutimet më të vështira të jenë ato për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndër tjerash ai ka shtuar se Kosova duhet që pa kushte ta zbatojë këtë obligim dhe se “me pranimin e këtij propozimi nënkuptohet edhe pranimi i zbatimit të obligimit për krijimin e Asociacionit”.
Edhe në BE e konsiderojnë këtë marrëveshje si një lloj njohjeje de-facto të Kosovës. “Dhe, kjo është vërtet një njohje de-facto”, ka thënë ky burim i BE-së.