Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nisur në ora 17:15 takimin e radhës në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Ata, po ashtu, takuan të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Qëndrimin dhe shprehjen e mimikave të fytyrave të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq në nisjen e takimit në Bruksel, i ka analizuar një medium serb.
Pak pas orës 17:00, shkruan nova.rs, kamerat kanë kapur disa gjëra.
“Vuçiq me shikim të lodhur dhe Kurti gjysmë i buzëqeshur me biskota dhe coca-cola: Çfarë pamë në fotografinë nga Brukseli”, është titulli i vendosur nga mediumi.
Sipas mediumit, është evidente që presidenti serb Vuçiq nuk ka buzëqeshur dhe ka qenë tejet serioz, sikurse mesazhet që ka pranuar nuk kanë korresponduar me ambiciet e tij para takimit. Ndërsa, Kurti në anën tjetër, e ka mirëpritur fillim-takimin me një buzëqeshje në fytyrë.
Çfarë ka kapur vëmendjen gjithashtu në tavolinën e negociatave, janë edhe pijet “Coca-Cola” sikurse në takimin e kaluar. Këtë herë s’kishte ëmbëlsira, por mediumi shkruan se aty kishte biskota si zëvendësim.
Bashkimi Evropian tashmë ka publikuar edhe videon nga ky takim. Gjatë videos së shkurtër 18-sekondëshe, është vërejtur se Kurti e Vuçiq nuk kanë krijuar kontakti shikimi me njëri-tjetrin. Ndonëse përballë njëri, ata kanë shikuar në pika jashtë kuadratit fizik të njëri-tjetrit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka postuar një fotografi nga takimi i së hënës në Bruksel, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politike të Jashtme, Josep Borrell dhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Vuçiqi e ka cilësuar këtë takim të vështirë, duke thënë se ashtu pritej të jetë.
“Takim i vështirë. E pritur. Nuk ka dorëzim”, ka shkruar ai krahas fotografisë.
Takimi trepalësh midis Kurtit, Vuçiqit dhe zyrtarëve evropianë, është ende duke u zhvilluar, ndërkaq pas tij pritet të ketë konferencë për media nga Borrelli. Ky takim po zhvillohet pas takimeve të veçanta të zyrtarëve të BE-së me Kurtin dhe Vuçiqin.
Fokusi takimeve është mbi propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.