Serbia do të marrë një grant të pakthyeshëm nga BE-ja prej 610 milionë eurosh, më i madhi që ka marrë ndonjëherë, për ndërtimin e një hekurudhe të trenave të shpejtë nga Beogradi në Nish.
Këtë lajm e njoftuan Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, në një takim simbolik.
Granti i BE-së do të jetë më i madhi që Serbia ka marrë deri më tani dhe është nënshkruar të martën nga shefi rajonal i Bankës Evropiane të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, Alessandro Bragonzi dhe Ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiç.
Vuçiç dhe Varhelyi patën një takim simbolik në trenin që shkon nga Prokopi në Ripanj, në itinerarin e hekurudhës së ardhshme nga Beogradi në Nish.
“Jam i lumtur që jam sërish në Serbi dhe ky projekt mund të ndryshojë realitetin jo vetëm për qytetarët serbë, por për njerëzit në të gjithë rajonin”, tha Varhelyi.
Ai përmendi gjithashtu pjesën e parë të paketës së ndihmës energjetike të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
“Ne shpresojmë që rreth 150 milionë euro, që i kemi dhënë Serbisë, do të ndihmojnë në tejkalimin e vështirësive këtë dimër dhe tejkalimin e efekteve të krizës energjetike”, tha Varhelyi.
Vuçiç e quajti Varhelyin një mik të madh të Serbisë dhe e falënderoi për gjithçka që ka bërë deri më tani për vendin.
Ndërtimi pritet të fillojë në vitin 2024 dhe trenat në hekurudhën e re do të arrijnë një shpejtësi deri në 200 kilometra në orë.