Plani franko-gjerman, përkatësisht i BE-së dhe i SHBA-ve, edhe pse i pranuar nga të dy palët, nuk e morri formën juridike të obligimit ndërkombëtar, sepse nga palët nuk u vu nënshkrimi. Me mos nënshkrimin nuk u bë plani dokument obligativ ndërkombëtar, ndonëse kishte mbetur edhe aprovimi në Kuvendet e dy shteteve.
Shkruan Muhamet KELMENDI
Paraprakisht nga SHBA-të u kërkua të fillon procedura për formimin e Asociacionit, që është edhe kusht serb, në mënyrë që plani të nënshkruhet. Mos arritja e fillimit të formimit të Asociacionit është fitore e përkohshme e Kosovës, por jo fitore përfundimtare. Plani i paraqitur veç e parasheh domosdoshmërinë e ekzekutimit të të gjitha marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këtu përfshihet edhe Asociacioni, sepse në vitin 2013 dhe 2015 u nënshkrua Marrëveshja për Asociacion dhe Gjykata Kushtetuese e shpalli nul atë të vitit 2015, duke i dhënë konturat në Marrëveshjen e vitit 2013.
Kjo formë e vendosjes i dha fuqi presionit ndërkombëtar për Asociacion. Për atë në plan është pika e veçantë realizimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura midis Kosovës dhe Serbisë. Dallimi është vetëm te ekzekutimi i këtyre marrëveshjeve. Me plan të BE-së nuk refuzohet Asociacioni serb në Kosovë. Deklarimi i z.Kurti se ” unë desha të nënshkruaj planin, por pala serbe ishte kundër, për çka mbeti pa u nënshkruar”, tregon edhe një herë obligimin që merr Kosova për themelimin e Asociacionit. Kjo duket se nuk ka kundërshtim. E kundërta është vetëm te afatet dhe te kompetencat që duhet të ketë Asociacioni. Kjo nuk ishte temë në Bruksel. Ndërsa, këtë e donte domosdo shteti serb. Plani franko gjerman nuk e ka aktin final, njohjen reciproke në qendër. Ka parime të njohura politike e juridike për shtet, por nuk ka njohje. Këto janë të pavlerë, gjithë kohën sa parimet mbesin të parealizuara, sepse mungon baza juridiko- politike e ndërkombëtare e tyre. Kjo e bënë Republikën e Kosovës inekzistente për Serbinë dhe, natyrisht se shumë shtete kur nuk ka njohje reciproke, nuk e njohin Republikën, sepse ato e kanë ndërlidhur njohjen me marrëveshjen Kosovë-Serbi.
Natyrisht se kështu në platformën ndërkombëtare të OKB-së mbetet ende e drejta finale e shtetit serb mbi Kosovën. Kështu fiton edhe me këtë plan Serbia. Kosova humb ndërkombëtarisht dhe detyrohet të organizon Asociacionin dhe çdo herë konfrontohet me pretendimet serbe mbi Kosovën si krahine jugore të Serbisë. Ky është dëm i madh që i bëhet Republikës së Kosovës. Me atë plan humb karakteri ndërkombëtar i subjektivitetit të shtetit të Kosovës. Pa bazën e planit, njohjen reciproke, nuk ka vlerë ndërkombëtare. Në OKB nuk është subjekt. Çdo gjë tjetër pa njohje të shtetit është irelevante dhe e dëmshme për Republikën si subjekt ndërkombëtar.