Takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 mars në Ohër, ka konfirmuar një zyrtar i Bashkimit Evropian.
Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e Propozim – Marrëveshjess Evropiane drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.
Diskutimi për propozimin evropian konsiderohet i mbyllur për palën evropiane, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e mbajtur më 27 shkurt në Bruksel, u pajtuan për tekstin e propozimit të BE-së.
Në Bruksel thonë se pa aneksin ose planin e zbatimit, i cili konsiderohet pjesë përbërëse e marrëveshjes, ajo do të ishte vetëm “një deklaratë politike, pa asnjë detyrim ligjor apo politik për palët”.
Pala evropiane planifikon që t’i nënshkruajë të dyja dokumentet, të cilat i konsideron si “të pandashme”.