Lajçak: Asociacioni nuk e dobëson Kosovën, 16 modele po shqyrtohen

Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të shihet nga Kosova si dobësim i funksionalitetit të saj.

Sipas tij, janë 16 modele ekzistuese funksionale që mund të shihen si modele për të drejtat e minoriteteve dhe se të gjitha janë në përputhje me standardet evropiane.

Në një intervistë për “Atlantic Council”, Lajçak ka thënë se për Asociacionin Kosova dhe Serbia duhet të bien dakord se si do të jetë e se si nuk duhet të jetë. “Nuk duhet të kemi frik nga diçka që s’është ende në agjendë, në procesin e dialogut.

“Po flasim me partnerët tanë për modele ekzistuese që po forcojnë funksionalitetin e shteteve dhe jo dobësimin, prandaj mendojmë se s’duhet të ketë frikë. Askush s’ka për interes të dobësojë funksionalitetin e Kosovës. Duhet ta shohim jo si kërcënim a dënim a kompromis, por obligim në njërën anë dhe duhet të shihet edhe si ndërtim i mirëbesimit të serbëve të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës dhe definim të qartë të raporteve të Qeverisë së Serbisë me serbët e Kosovës sipas standardeve evropiane”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti, ka takuar këtë të premte ambasadorët e QUINT-it, respektivisht ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë në Kosovë.

Siç bëri të ditur Zyra e Kryeministrit, Kurti i njoftoi ambasadorët për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë dhe gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar diskutimet për planin e zbatimit në kuadër të propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mes tjerash, Kurti dhe ambasadorët diskutuan edhe mbi aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës teksa i falënderoi për mbështetjen e tyre për këtë aplikim.

“Republika e Kosovës ndanë të njëjtat vlera dhe parime me Këshillin e Evropës, dhe këto janë të mishëruara edhe në Kushtetutën tonë, nëpërmjet inkorporimit të konventave të rëndësishme të Këshillit të Evropës”, u shpreh Kurti.

Kurti, tutje, theksoi se përparimet e dukshme të Republikës së Kosovës në indekset ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut, të demokracisë dhe të sundimit të ligjit, janë disa nga dëshmitë që tregojnë se Republika e Kosovës duhet të jetë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës dhe procesi i filluar i anëtarësimit duhet të vazhdojë pa vonesë.

Leave a Comment

Your email address will not be published.