Mësonjëtorja e parë shqipe, 136 vjet nga krijimi

Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri.Edhe pse në kushte të vështira, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj.

Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin lidhet me dëshirën e zjarrtë të tyre për të përhapur dijen në mesin e popullit. Rilindasit dhe patriotët shqiptarë u bënë gjithashtu nismëtarë për hartimin e teksteve të para shkollore për nxënësit shqiptarë. Ata punuan me përkushtim edhe për pajisjen e shkollës me mjetet e duhura didaktike. Nxënësit që mësuan në këtë shkollë kombëtare u edukuan me frymën e patriotizmit. Po ashtu, u bënë pasuesit e denjë të ideologjisë kombëtare dhe luftëtarë të devotshëm në luftën për liri dhe pavarësi.

Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar. Për shkak të sundimit osman, deri në këtë periudhë, mësimdhënia kryhej në mënyrë të fshehtë. Që nga ajo ditë, 7 Marsi njihet si Dita e Mësuesit dhe kremtohet nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
Emblema e historisë së arsimit shqip, Mësonjëtorja e parë Shqipe, sot Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë, është tashmë e rikonstruktuar tërësisht në sajë të një investimi të qeverisë shqiptare.

Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908, si dhe historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (Evetari, 1744), hartuar nga Naum Panajot Bredhi./Katror.info

Leave a Comment

Your email address will not be published.