E shkarkuara në Kosovë, u propozua për të udhëhequr Shërbimin Informativ të Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka paraqitur presidentit Bajram Begaj, propozimin që ish zv. drejtoreshën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Vlora Hyseni, ta emërojë drejtoreshë të shërbimit Informativ Kombëtar, raporton Koha.net.

“Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Vlora Hysenit drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”, ka shkruar Rama në Facebook.

Hyseni në qershor të vitit 2021 ishte shkarkuar nga posti i zv. drejtoreshës së AKI-së. Vendimi ishte marr nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Hyseni në këtë pozitë ishte emëruar në shkurt të vitit 2019. Ajo ishte emëruar nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj, për një mandat pesëvjeçar.

Ka ardhur reagimi i parë nga opozita pasi kryeministri Edi Rama i propozoi presidentit Bajram Begaj emrin e Vlora Hysenit për të marrë drejtimin e Shërbimit Informativ Shtetëror.

Deputeti Gazment Bardhi në një postim në rrjetet sociale, shkruan se presidenti Bajram Begaj duhet të informohet mbi arsyet e shkarkimit të Hysenit nga posti i shërbimeve të inteligjencës së Kosovës. Ai shton më tej se ky institucion nuk mund të jetë nën kontrollin personal të Ramës.

“Edi Rama ka njoftuar se ka propozuar Znj. Vlora Hyseni si drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar. Mediat raportojnë se znj. Hyseni është shkarkuar nga shërbimet e inteligjencës në Republikën e Kosovës, me dyshimet për “zbulim ose mosruajtje të informacioneve të klasifikuara”. Këto raportime janë shqetësuese dhe ngrenë dyshime mbi integritetin e znj. Hyseni.

Presidenti i Republikës është i detyruar të marrë informacionet e plota pranë institucioneve të Republikës së Kosovës mbi arsyet e largimit të saj nga të gjitha pozicionet në shërbimet e inteligjencës së Republikës së Kosovës. Për këtë Presidenti i Republikës ka detyrimin të bëjë transparencë për opinionin publik dhe të informoj edhe Kuvendin e Shqipërisë mbi çdo informacion që do të sigurojë.

Siguria kombëtare e Shqipërisë është ngushtësisht e lidhur me sigurinë kombëtare të Kosovës. SHIK nuk mund të jetë kurrë institucion nën kontrollin personal të Edi Ramës, me përzgjedhje personale të tij dhe pa asnjë argument që siguron pavarësinë e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe ushtrimin prej tij me profesionalizëm e paanësi të misionit të mbrojtjes së sigurisë kombëtare”-shkruan Bardhi.

Leave a Comment

Your email address will not be published.