Dijana Toska: Ju rrëfej vizitën historike të Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut

Filantropja dhe njohësja e marrëdhënieve të Vatikanit me shqiptarët Dijana Toska rrëfen për “Shekulli”-n detaje nga vizita e Atit të Shenjtë në Maqedoninë e Veriut. Takimi me të afërmit e Shën Terezës, bashkëbisedimi me të rinjtë dhe “porosia” ndaj politikanëve të vendit

Anila Dedaj

 “Kur gjithçka duket e palëvizshme, e amullt, kur problemet personale të shqetësojnë, situata shoqërore nuk të jep përgjigjen e duhur, nuk është mirë të dorëzohesh! Ëndërroni ëndrra të mëdha që i japin shpresë botës së lodhur. Të plakur para kohe! Ëndërroni, së bashku, të krishterë e myslimanë, ëndrrën e vëllazërimit ndërmjet gjithë kombeve, gjithë të rinjve, gjithë njerëzve!”.

Prej vizitës së Atit të Shenjtë në Shkupin e Shën Terezës këtë të martë, ndër të tjera, janë këto fjalët që kanë impresionuar më shumë filantropen dhe njohësen e marrëdhënieve të Vatikanit me shqiptarët, Dijana Toskën. “Janë mesazhe universale që përcolli gjatë bashkëbisedimit që pati me rininë”, rrëfen ajo, teksa nënvizon se, kjo vizitë shënon një ngjarje historike, edhe për faktin se mesazhe të tilla paqeje, jepen nga një vend multireligjioz si Maqedonia e Veriut. Toska tregon për “Shekullin” detaje nga 7 maji, vizitën në ish-lagjen e katolikëve, “porosinë” e Papës kundrejt politikanëve , përkuljen e Atit të Shenjtë para gurit të parë të Shenjtërores së Nënë Terezës, takimin me të afërm të saj dhe jo vetëm.

Znj. Toska, Maqedonia e Veriut vizitohet për herë të parë në historinë e saj, nga Papa Françesku. Sipas jush, çfarë rëndësie ka një ngjarje e tillë?

Ishte ngjarje historike, një konfirmim për rrugën europiane të Maqedonisë së Veriut; një përgëzim për përmbylljen gati 30-vjeçar të konfliktit me Greqinë dhe një dëshmi e përqendrimit të vëmendjes në rivendosjen e paqes dhe miqësisë në Ballkan, por edhe për të treguar se Trakia dhe Dardania ishin toka ku lindi krishterimi në Europë. Kjo vizitë ishte e një rëndësie të veçantë për tërë rajonin, sepse përçonte mesazhin e paqes në një vend multireligjioz, multietnik e multikulturor, diversitete këto që krijojnë një mozaik ku çdo gurë është i nevojshëm për ta ruajtur bukurinë si tërësi. Siç porositi vet Papa, “kjo bukuri do ta arrijë shkëlqimin më të madh kur do ta bartni dhe do ta mbillni dashurinë në zemrat e gjeneratave të reja, për të jetuar dhe vepruar bashkërisht; atëherë do të keni ardhmëri të ndritshme në familjen europiane – vëllazëri ku nuk do të ketë indiferencë dhe shpifje, por shpresë, altruizëm e dashuri për njerëzit”.

Simbolika e këtij takimi prek edhe vendin ku u mbajt mesha, që më herët ka qenë lagje e madhe e katolikëve shqiptarë, kur Shkupi ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës.

Mesha e Shenjtë u mbajt në qendrën e dikurshme të Dardanisë, në mëhallën e katolikëve shqiptarë, aty ku ishte Kisha e Zemrës së Krishtit e ku u pagëzua e lutej Gonxhe Bojaxhiu. Ati i Shenjtë, nga qendra e Shkupit, ballë për ballë Lekës së Madh luti Shën Terezën të na e dhurojë edhe ne hirin; ta dëgjojmë britmën e të varfërve, të shtypurve, të sëmurëve. Apeloi tek bashkëkombësit e saj që ta ndjekin rrugën e paqes dhe të dashurisë për njëri-tjetrin. Luti Shën Terezën që të lutet për këtë qytet, për këtë popull, për të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë vepra dashurie.

Në një vend si Maqedonia e Veriut, kur tanimë numri i katolikëve është shumë i vogël në raport me besimtarët ortodoksë e myslimanë, çfarë përcillet nga kjo përzgjedhje jorastësore e Papa Françeskut?

“Mendojeni Gonxhe Bojaxhiun”, u tha Papa të rinjve. “Kur jetonte këtu, nuk mundte as ta përfytyronte se si do të ishte jeta e saj. Por, nuk pushoi kurrë së ëndërruari e së luftuari për ta zbuluar fytyrën e dashurisë së saj të madhe ndaj Jezusit. I kishte këmbët të ngulura mirë këtu, në tokën e saj, por nuk rrinte duarkryq. Donte të bëhej laps i vogël në duart e Zotit. Secili nga ju, si Nënë Tereza, është i thirrur ta ndërtojë jetën me duart e veta, ta marrë seriozisht jetën dhe ta bëjë atë vërtet të bukur. Askush nuk mund t’i bëjë ballë jetës si i izoluar; nuk mund ta jetojë fenë e ëndrrat pa bashkësinë, i vetëm me zemrën e vet, apo i mbyllur ndërmjet katër mureve. Të gjithë kemi nevojë për një bashkësi që do të na mbështesë, do të na ndihmojë për të ecur përpara, krah për krah njëri-tjetrit. Të bashkuar. Pa mure. Ju lutem, ëndërroni bashkërisht, jo të vetëm; mos lejoni t’jua rrëmbejnë ëndrrat. Bashkimi bën fuqinë; bashkimi të ndihmon t’i përballosh të gjitha sfidat e shoqërisë së sotme”, porositi rininë nga Shkupi, nga kryeqendra Dardanisë, Papa Françesku.

Një nga momentet më të veçanta të kësaj vizite ishte edhe ndalesa e Atit të Shenjtë në Shtëpinë Përkujtimore “Nënë Tereza”, ku pati mundësi të takohej edhe me të afërmit e Shën Terezës. Çfarë ndikimi ka sipas jush ky takim shpirtëror, për imazhin e Shkupit si vendlindja e Shën Terezës?

Qëndrimi stoik, pastaj përkulja dhe bekimi i gurit të parë të Shenjtërores Nënë Tereza, para shtatores së saj, ishin mesazhe të thëna pa fjalë, që Papa ia dërgoi botës e cila po vuan për dashuri. Pastaj, në kapelën e ndërtesës – ku ishin të pranishëm liderët e bashkësive fetare të vendit, dy kushërinj të Shën Terezës e natyrisht edhe Nëna eprore e Motrave të Bamirësisë me tri rregulltare – Papa lartoi lutjen në nderim të Shenjtores shqiptare. Mbi altar ishin ekspozuar një relike, disa nga sendet e saj personale dhe pesë qirinj – simbol i pesë konfesioneve fetare që bashkëjetojnë në këtë shtet. Në fund, në oborr, Papa u takua me 100 të varfër, të asistuar nga Misionaret e Bamirësisë – Urdhër ky i themeluar nga vet Nënë Tereza. U përsëritën edhe fjalët e paharrueshme të Shën Terezës: “Të varfëritë janë njerëz të mëdhenj, kanë kombësi, gjuhë, fe, përvoja të ndryshme – të dhimbshme e tronditëse – por janë të bashkuar nga e njëjta shpresë”. Gjithsesi me vlerë janë edhe mesazhet universale që përcolli Ati i Shenjtë në bashkëbisedimin që pati me rininë: “Kur gjithçka duket e palëvizshme, e amullt, kur problemet personale të shqetësojnë e situata shoqërore nuk ta jep përgjigjen e duhur, nuk është mirë të dorëzohesh! Ëndërroni ëndrra të mëdha që i japin shpresë botës së lodhur e të plakur para kohe! Ëndërroni, së bashku, të krishterë e myslimanë, ëndrrën e vëllazërimit ndërmjet gjithë kombeve, gjithë të rinjve, gjithë njerëzve”!

Gjatë fjalës së tij, Papa theksoi se “bashkëjetesa në Maqedoninë e Veriut është shembull në Europë”. Si do ta komentonin një “porosi” të tillë të Papës?

Politika, me gjithë ndikimet e sforcuara nga jashtë, jo rrallëherë ka luhatur besimin mes popujve që jetojnë e bashkëjetojnë në këtë shtet shumetnik. Pastaj, edhe pse Maqedonia e Veriut me Kushtetutë është shtet laik, politika – sa herë që ka nevojë – përdor e keqpërdorë komunitetet fetare për interesa ditore politike, por edhe personale. Grupe të ndryshme religjioze, të importuara nga jashtë, sikur kanë arritur të mbjellin edhe fara tjera mes nesh. Dhe, këto amalgama të panjohura, artificiale e të imponuara, sikur kanë luhatur bilancin e natyrshëm religjioz që ka bashkëjetuar ndër shekuj në këto troje. Prandaj, kjo porosi e Papës vjen në vendin dhe kohën e duhur si një mësim sesi duhet funksionuar religjionet në një demokraci, dhe si ndërgjegjësim i politikanëve për t’i kushtuar vëmendje më të madhe diversitetit kulturor si vlerë që siguron paqe shtetërore e shpirtërore (sidomos tani kur Maqedonia e Veriut është pozicionuar kah civilizimi europian).

Leave a Comment

Your email address will not be published.