Gjermania çelë dyert për profesionistët nga Kosova, këto janë tri mundësitë që ky shtet ofron për ta

Gjermania prezantoi të mërkurën draft reformat për imigracionin, trajnimin e aftësive dhe promovimin e imigracionit nga vendet e Ballkanit Perëndimor, një përpjekje e qeverisë së kancelarit Olaf Scholz për të mbyllur mungesën e fuqisë punëtore në ekonominë më të madhe të Evropës, shkruan Reuters.

“Me këtë, ne po hedhim themelet për një fillim të ri në politikën e migracionit. Kushdo që mund të kontribuojë në suksesin ekonomik të vendit si punëtor i kualifikuar është i mirëpritur”, shkroi në Twitter ministri i Financave Christian Lindner pasi kabineti miratoi reformat.

Një nga reformat është një ligj i ri imigracioni që synon të adresojë pengesat kryesore për emigrantët në Gjermani, veçanërisht për ata që vijnë nga jashtë Bashkimit Evropian.

Projektligji thotë se reforma mund të rrisë numrin e punëtorëve nga vendet jashtë BE-së me 60,000 njerëz në vit.

Ai u ofron punëtorëve të huaj tre rrugë për të hyrë në Gjermani.

E para kërkon një diplomë profesionale ose universitare të njohur në Gjermani dhe një kontratë pune. E dyta kërkon të paktën dy vjet përvojë pune në një sektor përkatës dhe një diplomë ose formim profesional. E treta është një “kartë mundësie” e re për individët që nuk kanë një ofertë pune, por kanë potencial për të gjetur punë. “Karta e mundësive” merr parasysh kualifikimet, aftësitë gjuhësore, përvojën profesionale, lidhjen me Gjermaninë dhe moshën.

Kabineti qeveritar vendosi të zgjasë rregulloret për punëkërkuesit nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Republika e Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat më parë pritej të përfundonin në fund të vitit. Gjermania do të jetë në gjendje të rekrutojë deri në 50,000 punëtorë në vit nga këto vende.

Leave a Comment

Your email address will not be published.