Gjyqi i nisur në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është një gjyq kundër UÇK-së, por një gjyq kundër individëve që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Kjo ishte deklarata të cilën Prokurori Special e nënvizoi në mënyrë të veçantë në nisjen e gjyqit në Gjykatën Speciale të Hagës gjatë mëngjesit të së hënës.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetarët e parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm Rexhep Selimi, u deklaruan “krejtësisht të pafajshëm” në nisjen e seancës së parë gjyqësore, e cila duket se do t’i paraprijë një procesi maratonë që mund të zgjasë rreth gjashtë vjet.
Thaçi dhe Veseli ishin të prerë në përgjigjet e tyre, ndërkohë që Veseli shprehu mospajtimin e tij për “vonesën mbi dy-vjeçare të gjykimit paraprak”.
Krasniqi nga ana e tij tha dhe ripërsëriti se nuk ka lidhje me asnjë akuzë të parashtruar ndaj tij.
Whiting: Të pandehurit pjesë e zinxhirit komandues
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së akuzohen se nga marsi i vitit 1998 e deri në shtator 1999 kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj pakicave etnike – atyre serbe dhe rome – si dhe ndaj rivalëve të tyre politikë që nuk i kanë mbështetur gjatë luftës dhe në qeverinë e formuar pas çlirimit. Ata akuzohen për përndjekje, trajtim çnjerëzor, vrasje, zhdukje personash etj.
Prokurori special në detyrë, Alex Whiting, tha në hyrje të parashtrimeve të tij se katër të akuzuarit janë anëtarë themelues të UÇK-së dhe kanë qenë pjesë e zinxhirit komandues.
“Por ka pasur edhe një anë të errët të lidershipit të tyre, që janë objekt i kësaj akuze” – deklaroi përfaqësuesi kryesor i organit të akuzës, i cili zëvendësoi prokurorin tashmë të dorëhequr Jack Smith, të cilit iu ngarkua një tjetër detyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në akuzë evidentohet se janë mbi 100 krime, shumica shqiptarë të Kosovës të cilët ishin rivalë politikë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në dosjen e akuzës gjenden dokumente dhe dëshmitarë të shtrirë gjeografikisht në shumë zona të Kosovës, por edhe në Shqipëri. Prokurori në detyrë Whiting theksoi se intimidimi i dëshmitarëve ka qenë dhe mbetet një tjetër sfidë e këtij procesi. “Dëshmitarët e akuzës vijojnë të intimidohen dhe të frikësohen edhe sot”. Rreth 312 persona pritet të dëshmojnë në këtë proces gjyqësor.
Protesta në Hagë
Në rrugët e Hagës flitej shqip një ditë para nisjes së gjyqit. Qytetarë të shumtë udhëtuan nga Zvicra, Gjermania dhe shtete të tjera për t’u tubuar në mbështetje për të akuzuarit dhe kundër këtij procesi gjyqësor. Teksa paraditen e datës 3 prill, në Gjykatën Speciale lexohej aktakuza, metra më tutje, protestuesit u mblodhën nën thirrjet “UÇK” dhe “Liri për çlirimtarët”. Për Deutsche Welle-n, qytetarët e pyetur thanë se nuk i besojnë prokurorisë, por i besojnë drejtësisë, dhe janë të mendimit se ish-krerët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm. Autoritetet kishin lejuar mbledhjen e 300 personave, por sipas organizatorëve u mblodhën rreth 3 mijë vetë.
Akuzat ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit
Katër ish-drejtuesit e UÇK-sëakuzohen se nga marsi i vitit 1998 e deri në shtator 1999 kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj pakicave etnike – atyre serbe dhe rome – si dhe ndaj rivalëve të tyre politikë që nuk i kanë mbështetur gjatë luftës dhe në qeverinë e formuar pas çlirimit. Ata akuzohen për përndjekje, trajtim çnjerëzor, ndalim, vrasje, zhdukje personash etj.
Prokurori special në detyrë, Alex Whiting, tha në hyrje të parashtrimeve të tij, se katër të akuzuarit janë anëtarë themelues të UÇK-së dhe kanë qenë pjesë e zinxhirit komandues. “Por ka pasur edhe një anë të errët të lidershipit të tyre, që janë objekt i kësaj aktakuze”, deklaroi përfaqësuesi kryesor i organit të akuzës, i cili zëvendësoi prokurorin tashmë të dorëhequr Jack Smith, të cilit iu ngarkua një tjetër detyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në aktakuzë evidentohet se janë mbi 100 krime, shumica shqiptarë të Kosovës, ndër të cilët kishte edhe rivalë politikë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në dosjen e akuzës gjenden dokumente dhe dëshmitarë të shtrirë gjeografikisht në shumë zona të Kosovës, por edhe në Shqipëri. Prokurori në detyrë Whiting theksoi se intimidimi i dëshmitarëve ka qenë dhe mbetet një tjetër sfidë e këtij procesi. “Dëshmitarët vijojnë të intimidohen dhe të frikësohen edhe sot”. Rreth 312 persona pritet të dëshmojnë në këtë proces gjyqësor.
Duke bërë një historik të krijimit të UÇK-së, prokurori Matthew Halling prezantoi edhe disa deklarata dhe dokumente të ish-krerëve të UÇK-së. Sipas tij, Thaçi, Veseli dhe Selimi e kishin themeluar Shtabin e Përgjithshëm dhe e kishin nisur “këtë ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Ndërsa për Jakup Krasniqin u tha se ishte anëtar i drejtorisë politike. Prokurori Halling prezantoi edhe një organigram të strukturës së UÇK-së nga nëntori i vitit 1998, duke iu referuar të dhënave, që sipas prokurorit “u gjetën në shtëpinë e Jakup Krasniqit”.
Whiting tha se motivi i kryerjes së krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, të pretenduara në aktakuzë, “ishte për të fituar pushtet në luftë ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së”.
“Mund t’i kenë kryer nga frika se kauza e tyre do të minohej, nga ata që perceptoheshin si kundërshtarë. Mund të jenë kryer nga hakmarrja. Do të shihni prova për këto të dyja”, pohon ai. Sips Whiting, nuk ishe aspa e fshehtë, se “qëllimi kriminal i përbashkët kishte për synim vënien në shënjestër të kundërshtarëve”, tha Whiting.
Krimet konkrete me të cilat ngarkohen të akuzuarit
Më pas prokurorët e Gjykatës Speciale paraqitën edhe dëshmitë e tyre konkrete për krimet e pretenduara. Sipas tyre, UÇK-ja është përfshirë në 440 incidente dhe ka ndaluar shumë persona, ndër të ciët “së paku 144 prej tyre nuk e kanë mbijetuar”.
“Ata vdiqën mizorisht sepse konsideroheshin si kolaboracionistë”, tha prokurori,duke shtuar se “ata ishin persona me profesione si bujqë, mësimdhënës, gazetarë, nëpunës e profesione të tjera”. Në mesin e viktimave, sipas prokurorisë, kishte shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë e të tjerë.
Prokuroria paraqiti më pas edhe disa raste konkrete të mbajtjeve, rrahjeve dhe vrasjeve në Jabllanicë, Llapushinik, Zllash, Kleçkë e vende të tjera. Prokuroria pohon se të gjitha këto akuza do të dokumentohen me argumente. E një prej pretendimeve të prokurorisë është edhe ndalimi, mbajtja dhe keqtrajtimi i kundërshtarëve politikë. Sipas tyre, Hashim Thaçi u ka thënë mbështetësve të LDK që të heqnin dorë nga postet e tyre të atëhershme dhe nga Ibrahim Rugova. Prokuroria pohon se personat që kanë kundërshtuar “taktikat e UÇK-së, kanë rrezikuar të vriten”. Ndërsa forma më e shpeshtë e akuzave ndaj personave që nuk ndiqnin urdhërat e UÇK ishte “tradhëtar e kolaboracionist”. E ndër rastet e sulmeve ndaj civilëve prokuroria përmendi edhe plagosjen e Radivoje Papoviqit, ish-rektor i vendosur nga autoritetet serbe në Universitetin e Prishtinës. Ky sulm ka ndodhur në vitin 1996.
Prokurori: UÇK pati rregulla, Shtab, Zona, Polici Ushtarake e burgje
Duke paraqitur prova të përgjithshme të aktakuzës, prokurori mes të tjerash nxori në ekran edhe një dokument, të cilin e prezantoi si “Rregullorja e Disiplinës në UÇK”. Në këtë dokument shihet, sipas prokurorëve, se kush kishte autoritet për të vënë rregull brenda UÇK-së dhe se brenda UÇK-së kishte rregulla të disiplinës, ku parashikoheshin edhe sanksione. Prokurori paraqiti edhe letra të tjera që, sipas tij, janë dokumente që dëshmojnë se Shtabi i Përgjithshëm ka funksionuar dhe se UÇK-ja ka pasur hierarki. Për zanafillën e UÇK u tha se “UÇK-ja ishte themeluar nga Lëvizja Popullore e Kosovës dhe ate e përbënin personat si Adem Jashari, Xhavit Haliti, Azem Syla e të tjerë. Këto dokumente dhe pohimet e prokurorisë kishin për synim të tregojnë se UÇK kishte shtrukturë e hierarki të caktuar dhe se “prej fillimit anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm kanë ushtruar detyrat e tyre”. Në këtë kontest, u tha se ishin krijuar edhe zonat e caktuara të UÇK-së, si ajo e Drenicës, Dukagjinit, Pashtrikut, Shalës, Llapit, Nerodimes e Karadakut. Ndërsa Shtabi i Përgjithshëm ishte “në qendër të të gjithë kësaj”. /DW