Plagosja në veri, suspendohen katër policë

Policia e Kosovës e ka suspenduar një zyrtar të saj i cili dyshohet se ishte i përfshirë në plagosjen e një personi të hënën në Leposaviq. Sipas PK-së, po ashtu janë suspenduar edhe tre zyrtarë të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast, transmeton Klan Kosova.

“Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri.

“Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri. Po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast”.

“Andaj, me qëllim që të vazhdojmë të mbajmë të informuar opinionin mbi veprimet policore dhe të gjeturat nga hetimet zyrtare, dyshohet se një zyrtar policor është përfshirë në këtë rast dhe se për këtë Policia e Kosovës sipas procedurave të parapara ligjore menjëherë ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Prokurorinë kompetent për procedura të mëtejme penale”.

Policia e Kosovës do të vazhdojë të realizojë detyrat zyrtare konform autorizimeve ligjore, të mbajë të informuar opinion në mënyrë të drejt dhe të paanshme, pa marrë parasysh se kush është përfshirë në rast dhe në asnjë rrethanë të vetme, nuk do të veprojë ndryshe, vetëm sipas legjislacionit në fuqi.

“Njëkohësisht Policia e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me Inspektoratin Policor dhe Prokurorin e Shtetit, me qëllim që të vazhdojë të mbajë përgjegjës zyrtarët policorë, të cilët nuk përkojnë dhe veprojnë sipas standardeve më të larta etike dhe profesionale”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë një sqarim rreth rastit të djeshëm, kur një qytetar i nacionalitetit serb ishte plagosur nga një zyrtar i Policisë së Kosovës.

Në një postim në Facebook, Sveçla ka bërë të ditur se sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit”.

“Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J.

POSTIMI I PLOTË:

Pas informatave të para për plagosjen e një qytetari në rrugën nacionale mes Leposaviqit dhe Zveçanit, Policia e Kosovës por edhe Inspektoriati Policor i Kosovës kanë filluar hetimet intenzive.

Sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit. Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J.

Pas intervistimit nga ana e Inspektoriatit Policor dhe me vendim të prokurorit, 4 zyrtarë policor janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast. Të njejtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga PK.

Me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave, hetimet do të vazhdojnë intenzivisht dhe gjithësecili që ka bërë shkelje do të ballafaqohet me ligjin.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Hovenier ka shprehur shqetësimet e SHBA-së gjërsa ka thënë se duhen zhvilluar hetime të plota.

“SHBA-të janë të shqetësuara për një incident në të cilin një serb i Kosovës u qëllua mbrëmë në Zveçan/Zveqan. Zyrtarët dhe institucionet e Policisë së Kosovës duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm. Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur”.

“Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e zbatimit të ligjit dhe sektorit të drejtësisë. Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit, çon përpara një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Leave a Comment

Your email address will not be published.