Merret vendimi, s’ka më viza nga 1 janari 2024 për qytetarët e Kosovës

Parlamenti Evropian i ka dhënë dritën jeshile Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave, ku qytetarët mund të lëvizin lirshëm në Evropë pa viza nga 1 janari 2024. Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, miratim ky që u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha Kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.

Siç ishte njoftuar nga PE-ja, pas miratimit të liberalizimit në seancë plenare të martën, të nesërmen akti formalisht bëhet ligj, e që nënshkruhet nga presidentja PE-së dhe përfaqësuesi i Suedisë që mban presidencën e BE-së deri më 30 qershor.

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS. Me votimin pro liberalizimit të vizave për Kosovën nga PE-ja kjo çështje është përmbyllur dhe të mërkurën e 19 prillit do të jetë ceremonia për nënshkrimin e Aktit ligjor.

Nga Qeveria e Kosovës kanë bërë të ditur se në ceremoninë e nënshkrimit do të marrë pjesë zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi drejtuar mediave.

“Liberalizimi i vizave tashmë është realitet. Ditën e sotme u votua pozitivisht në Parlamentin Evropian dhe vendimi final mbi liberalizimin e vizave. Ai do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi”, thuhet në njoftim.

Vendimi më pas do të publikohet në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi lajm të mirë për Kosovën vendimin e Parlamentit Evropian. Kurti tha se ky vendim e ofron Kosovën një hap më afër BE-së.Në një reagim tjetër ai tha se  heqja e vizave nga Parlamenti Evropian është meritë e të gjithëve, veçanërisht e qytetarëve të Kosovës.

“Liberalizimi i vizave ndodhi sot. Nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën shengen. Kjo është meritë e të gjithëve, veçanërisht e qytetarëve tanë. Andaj urime të gjithëve, sepse është për të gjithë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Paraprakisht, në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria e vendit, kjo e fundit ia ka atribuuar vetes meritat për liberalizimin e vizave.

“Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ia ka lënë meritat Qeverisë Kurti për këtë vendim, duke thënë se është “konfirmim i punës sonë të palodhshme”.

“Edhe një fitore e radhës e Republikës së Kosovës, sapo u finalizua procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët tanë. Edhe pse moment gëzimi e konfirmim i punës sonë të palodhshme, nuk kemi kohë për të festuar sepse kemi shumë punë dhe sfida për të tejkaluar. Angazhimi ynë jo vetëm se është borxh ndaj të kaluarës por është edhe obligim ndaj të ardhmes së vendit tone”, ka shkruar Sveçla ndër të tjera.

Ndërkaq, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shkroi se vendimi i sotëm është fitore, “jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme”, shkroi mes tjerash ajo.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi shkroi se ky vendim shumë i vonuar por i mirëseardhur.

“Vendimi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, edhe pse shumë i vonuar, është mëse i merituar e i mirëseardhur. Prandaj, para se gjithash, sot urimet i meritojnë qytetarët tanë. Shpresoj që ky vendim të hyjë në fuqi sa më parë”, ka shkruar Krasniqi.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka përshëndetur miratimin e liberalizimit të vizave nga Parlamenti Evropian.

Abdixhiku e ka quajtur këtë ditë si të paharrueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj.

”Një ditë e paharrueshme për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj pasi liberalizimi i shumëpritur i vizave miratohet përfundimisht nga Parlamenti Evropian“, ka shkruar Abdixhiku në Twitter, të martën.

Ai ka thënë se procesi i vonuar deri më tash është i padrejtë për Kosovën.

”Një trajtim i padrejtë dhe i padrejtë më në fund e sheh fundin. Ne e festojmë këtë moment historik dhe presim me padurim një të ardhme brenda familjes evropiane“, ka thënë ai.

Ndërkaq, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se tani është momenti që Kosova po ashtu ta marrë sa më shpejt konfirmimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe fillimin e Partneritetit për Paqe.

“Lajm i mrekullueshëm nga Parlamenti Evropian, që sot hoqi pengesën e fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën!
Falënderim i veçantë për eurodeputetët për marrjen e këtij vendimi meritor dhe për gjithë ata që kontribuan që ky proces të përmbyllet me sukses. Tani është momenti që Kosova po ashtu ta marrë sa më shpejt konfirmimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe fillimin e Partneritetit për Paqe. Urime Kosovë!”, ka shkruar ai.

Për më shumë se 12 vjet, Bashkimi Evropian ka lënë peng institucionet kosovare sa i përket çështjes se vizave, duke vendosur kështu kritere të shumta në mënyrë që qytetarët të udhëtojnë lirshëm.

Përkundër plotësimit të kritereve, zvarritja e këtij procesi ndodhi për më shumë se 12 vjet. Krahasuar me shtetet tjera të Ballkanit, Kosovës iu deshtën më së shumti vite që një proces i tillë të finalizohet.

Leave a Comment

Your email address will not be published.