SHBA-ja ka thënë se zgjedhjet për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës si dhe për asamble komunale në dy komuna në veri, janë mbajtur në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë është thënë se përkrahin “një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse dhe multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë”.
Deklarata e Ambasadës së SHBA për Zgjedhjet Komunale, 23 Prill 2023
Shtetet e Bashkuara theksojnë se katër zgjedhje për kryetar komune dhe dy zgjedhje për asamble komunale u mbajtën në komunat e Kosovës Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zveçan/Zveqan dhe Zubin Potok më 23 prill 2023, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.
Ne mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike.
Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë në dispozicion vendet e votimit për qytetarët që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit. Gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë për profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet.
Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm.
Ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit.