Arsyeja pse Danimarka mban 10 000 tru njerëzish në një bodrum

Në Danimarkë është zbuluar se një bodrum universiteti përmban 9479 tru njeriu. Kjo ka ndodhur pas një propozimi nga dy mjekë në vitin 1945 për të ndërtuar koleksionin më të madh në botë të trurit, me shpresën se mjekët e ardhshëm mund t’i rianalizojnë këto organe, pasi shkenca të ketë avancuar.

Të gjithë trutë u nxorën gjatë autopsisë së pacientëve që vdiqën midis viteve 1940 dhe 1980. Midis tyre, 5500 tru me demencë, 1400 me skizofreni, 400 me çrregullim bipolar, 300 me depresion… Pas autopsive, mjekët e hiqnin organin nga kufoma përpara se ta varrosnin, e ekzaminonin dhe mbanin shënime të hollësishme në ato që njiheshin si “ditarët e trurit”.

Pjesa më e madhe e këtyre truve u dërguan nga spitalet shtetërore në të gjithë Danimarkën, më pas u ruajtën në kuti për javë të tëra, përpara se të ndaheshin në copa dhe të vendoseshin në enë të posaçme për t’u ruajtur.

Megjithatë, organet u ruajtën pa pëlqimin paraprak të pacientëve ose të afërmve të tyre, duke ndezur një debat të gjerë kombëtar që u përhap në sektorë të ndryshëm të shoqërisë, se çfarë duhet të bëhej me atë sasi organesh njerëzore.

“Të gjithë këta tru janë të dokumentuar shumë mirë. Ne e dimë se kush ishin pacientët, ku kanë lindur dhe kur kanë vdekur. Kemi gjithashtu diagnozat që janë bërë dhe raportet e ekzaminimeve neuropatologjike”, argumentoi për BBC Martin Wirenfeldt Nielsen, patolog dhe drejtor aktual i koleksionit të trurit në Universitetin e Danimarkës Jugore.

Debati etik

Më në fund, në vitet 1990, Këshilli Danez i Etikës përcaktoi se indet mund të përdoren për kërkime shkencore. Pas transferimit në Odense, koleksioni që ishte mbajtur sekret doli në dritë.

Pa dyshim, zbulimi i kësaj banke truri ka shkaktuar një nga debatet e para për shkencën etike në Danimarkë, mbi një temë të stigmatizuar që ishte lënë jashtë për vite me radhë: shëndeti mendor dhe mungesa e të drejtave të pacientëve në të kaluarën.

Leave a Comment

Your email address will not be published.