“Edhe pse nacionalisht ndihem si malazez, në regjistrimin e fundit të popullsisë në Serbi, u deklarova serb. Unë punoj në administratën shtetërore në Beograd dhe kisha frikë të them të kundërtën për shkak të humbjes së mundshme të vendit tim të punës”, thotë Jovana për Radion Evropa e Lirë (REL), identiteti i vërtetë i të cilës është i njohur për redaksinë.
Ajo është vetëm një nga 20 mijë banorët e Serbisë nga Mali i Zi që “ndryshuan” kombësinë e tyre nga Regjistrimi i vitit 2011 në atë të fundit në 2022.
Në Serbi, numri i malazezëve është pothuajse përgjysmuar në krahasim me një dekadë më parë dhe krahasuar me të dhënat e 30 viteve më parë është gjashtë herë më i vogël.
Në vendet e tjera të rajonit, numri i malazezëve është ulur ndjeshëm në dekadat e fundit po ashtu. Në Kroaci pesë herë dhe në Maqedoni dhe Bosnjë e Hercegovinë tri herë. Nuk ka të dhëna të sakta për Kosovën.
Mohimi i identitetit malazez dhe mungesa e kujdesit të shtetit malazez ndaj emigrantëve çoi në një rënie drastike të numrit të malazezëve në vendet e rajonit, sipas demografit të REL, Miroslav Doderoviç.
Bashkëpunëtori në Institutin Historik të Universitetit të Malit të Zi, Danilo Kaleziq, e sheh shkakun e rënies drastike, siç thotë ai, në politikën e “Serbisë së Madhe” të Beogradit dhe të entitetit boshnjak-hercegovinez Republika Srpska me qëllim të asimilimit të pakicës malazeze në ato vende.
Kontestimi i identitetit malazez në vetë Malin e Zi
Në Serbi dhe Mal të Zi ka parti politike, gazetarë, shoqata kulturore, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, të cilat e mohojnë plotësisht ose pjesërisht ekzistencën e malazezëve si komb.
Në vetë Malin e Zi, prej dekadash ka pasur ndarje etnike ndërmjet serbëve dhe malazezëve, të cilat reflektohen në jetën politike, veçanërisht në situata të trazirave politike.
Dhe demografi Miroslav Doderoviç thotë se çështjet e identitetit e ndajnë thellë Malin e Zi, gjë që u shpreh veçanërisht pas referendumit të vitit 2006, kur u rivendos pavarësia e shtetit. Referendumi u fitua nga forcat pro-malazeze me mbështetjen e popujve të pakicave.
“Që atëherë, numri i malazezëve në zonën përreth është duke u zvogëluar. Ndarjet e identitetit po marrin intensitet edhe pas ndryshimit të qeverisë në vitin 2020”, thotë Doderoviç.
Siç shton ai, identiteti malazez kontestohet edhe në vetë Malin e Zi.
“Në Mal të Zi kemi parti politike, shoqata, individë që kundërshtojnë identitetin malazez. Dhe kur ju e kontestoni në Mal të Zi, atëherë do ta kundërshtojnë edhe disa nga të tjerët në rajon, siç tregojnë statistikat”.
Në zgjedhjet e vitit 2020, sundimi tre dekadash i Partisë Demokratike të Socialistëve pro malazeze u zëvendësua dhe qeveria u votua nga një shumicë parlamentare prej 41 deputetësh, të udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-Serb, Demokratët dhe civilët e Lëvizjes URA. Krerët e Frontit Demokratik janë të afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Lidhur me këtë, Danilo Kaleziq e sheh, siç thotë ai, “politikën e Serbisë së Madhe që po zhvillohet nga Beogradi dhe nga entiteti më i vogël i Bosnjë-Hercegovinës” si arsye për rënien e numrit të malazezëve në Serbi.
“Qëllimi i kësaj politike është dekonstruksioni i kombit malazez në disa nivele, pra asimilimi i pakicës malazeze në ato vende përmes frikësimit dhe politikës kulturore.
“Ndonjëherë nuk është e këndshme të deklarohesh malazez”
Bashkëbiseduesja e REL-së, që në fillim të rrëfimit, thotë se ndonjëherë në shoqëri nuk ndihet rehat të thotë se është malazeze. “Shpesh ka komente të pakëndshme. Herë me humor e herë jo”.
Ajo di shumë shembuj të ngjashëm me të sajën. “Për shembull, shefi i institucionit ku unë punoj është një malazez, nga Bijelo Polje, dhe ai vetë deklarohet serb. Nuk e di nëse ka frikë apo ndihet vërtet ashtu siç ka deklaruar”.
Kjo nuk është për t’u habitur për Kaleziqin sepse, siç thotë ai, në Serbi ka presione pasive.
“Është krijuar një klimë në të cilën është e padëshirueshme të jesh malazez. Shumë emra nënçmues lidhen me kombin malazez. Për shembull, i gjithë kombi barazohet me politikën e një njeriu dhe ajo politikë cilësohet si kriminale dhe mafioze. (“Milogorci”).
Presionet aktive nuk duken në atë klimë, “që nuk do të thotë se nuk janë aty”, thotë Kaleziq.
Nikolla, bashkëbiseduesi i dytë i REL-së, është një nga ata që u vetëdeklarua malazez.
“Kam 30 vitet e fundit që jetoj dhe punoj në Serbi, por kam lindur në Mal të Zi dhe nuk mund të jem asgjë tjetër veçse malazeze”.
Shumë miq të tij nga Mali i Zi që jetojnë në Serbi u deklaruan si serbë.
“Për disa është frikë dhe për disa është një ndjenjë e natyrshme të thonë se janë serb nga Mali i Zi. Sa për mua, nuk e kam pasur problem të them kombësinë time, mjedisi e di se kush jam dhe deri më tani nuk kam pasur asnjë shqetësim”, tha Nikolla.
Aktualisht numri i malazezëve në atë vend është 20 mijë.
“Është e pamundur që në Serbi të ketë kaq shumë malazezë. Ndoshta vetëm në Vraçar?”, është komenti humoristik i një bashkëbiseduesi ynë nga Serbia.
Sipas demografit Doderoviç, njerëzit ndonjëherë nuk e dinë rrugën e tyre rreth çështjes së identitetit dhe ndjekin vijën e rezistencës më të vogël:
“Ashtu janë më rehatë, nuk duan të jenë ndryshe nga të tjerët me të cilët jetojnë”.
Dhe qeveria në Mal të Zi është përgjegjëse
Demografi Doderoviç beson se qëndrimi i papërgjegjshëm i qeverisë malazeze ndaj diasporës është “fajtor” për rënien e numrit të malazezëve.
“Këtij segmenti të politikës së jashtme i është kushtuar pak vëmendje. Nuk kanë ndarë mjete të mjaftueshme financiare për shoqatat dhe nuk kanë punuar sa duhet për të forcuar identitetin e diasporës malazeze”.
Edhe Kaleziq thotë se një nga shkaqet është pakujdesia e shtetit.
“Shtetit të Malit të Zi i mungon qartë strategjia kombëtare në këtë çështje. Deri në vitin 2020 ka qenë i çorganizuar, pa vizion, megjithëse ka pasur disa zhvillime në promovimin e komunitetit kombëtar malazez në vendet e rajonit. Nga viti 2020, e gjithë kjo u zhduk dhe u vu në shërbim të politikës që përpiqet të shpërbëjë kombin malazez”.
Nga ana tjetër, drejtori i Drejtorisë për Bashkëpunim me Diasporën, Arben Jakupi, thotë se është bërë gjithçka që është në kompetencat e tyre.
“Natyrisht, aktivizmi ynë nuk ishte i mjaftueshëm, por Administrata ka kompetenca shumë të vogla, të kufizuara financiare. Ne ndihmuam shoqatat në Serbi me aq sa mundëm. Unë nuk do të fajësoja as paraardhësit tanë, sepse ata kishin më pak burime se ne”, tha Jakupi për Radion Evropa e Lirë.
REL i dërgoi pyetje lidhur me rënien e malazezëve në atë vend Shoqatës Kombëtare të Malazezëve nga Serbia, por nuk morëm përgjigje deri në publikimin e tekstit.
Të dhënat nga regjistrimi në Serbi do të pasqyrohen në atë të ardhshmin në Mal të Zi
Mali i Zi gjithashtu pret një regjistrim të popullsisë në nëntor.
Në të fundit në vitin 2011, 45 për qind e qytetarëve deklaruan se ishin malazezë, dhe gati 29 për qind ishin serbë.
Bashkëbiseduesit e Radios Evropa e Lirë, Kaleziç dhe Doderoviç, pajtohen se rezultatet e regjistrimit nga Serbia do të reflektojnë edhe në atë të ardhshëm, përkatësisht se numri i malazezëve do të zvogëlohet.
“Në Mal të Zi është nisur një politikë shumë e ngjashme me atë të Serbisë, në të cilën mohohet ekzistenca e kombit malazez, po ashtu, në diskursin publik është futur një identitet i dyfishtë, në të cilin barazohen identitetet serbe dhe malazeze, pra njerëzit zgjedhin serbishten”, thotë Kaleziç.
Doderoviç vlerëson se trendi në rënie i malazezëve do të vazhdojë:
“Askush nuk u shqetësua se pse numri i malazezëve po bie. Askush nuk bëri përpjekje që të paktën të ruante atë numër. Ne duhet të kishim shfrytëzuar periudhën pas vitit 2006 dhe të bënim një politikë më të mirë ndaj bashkatdhetarëve tanë jashtë kufijve të vendit”.
Përpara zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi në gusht 2020, presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se “regjistrimi në Mal të Zi është i rëndësishëm për popullin serb”.
Tendencat në rajon
Demografi Miroslav Doderoviç thekson se numri më i madh i malazezëve në Serbi ka qenë në vitin 1981, kur ka qenë 147.000.
“Kur krahasohet me të dhënat e fundit, ne shohim një rënie drastike prej 127 mijë malazezëve në Serbi. Çfarë na thotë kjo? Modeli jugosllav i bashkëjetesës, vëllazërisë dhe bashkimit i dha lirinë e shprehjes dhe forcimit të vetëdijes kombëtare”.
Para luftës, në vitin 1991, 9724 qytetarë në Kroaci e deklaronin veten malazez, ndërsa sot vetëm 3127.
Në regjistrimin e vetëm në Bosnjë dhe Hercegovinë që u mbajt pas luftës, në vitin 2013, ishin 1883 malazezë. Para shpërbërjes së shtetit të përbashkët, në vitin 1991 ishin 10.071.
Midis dy regjistrimeve, numri i malazezëve u përgjysmua në Maqedoninë e Veriut. Gjegjësisht, në vitin 2021 ishin 1023, kurse 3225 tre dekada më parë, përkatësisht në vitin 1991. /Albanianpost.com