Është nënshkruar në ambientet e Komisionit Evropian në Bruksel marrëveshja për përfshirjen e Republikës së Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët”.
Nënshkrimi është bërë nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari dhe drejtorja e përgjithshme për Tregun e Brendshëm të Bashkimit Evropian, Industrinë, Ndërmarrësinë dhe Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme (DG GROW), Kerstin Jorna, ka njoftuar MINT.
Sipas MINT-it, pjesëmarrja në programin e BE-së “Tregu i Përbashkët” për Kosovën është një hap shumë i rëndësishëm drejt procesit të integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian.
“Programi në fjalë është njëri ndër programet më të mëdha mbështetëse që posedon Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar”.