Shkollat serbe në alarm

Pas protestave të opozitës serbe parlamenti në Beograd ka diskutuar në një seancë të jashtëzakonshme raportin për gjendjen e sigurisë pas vrasjeve të fundit të nxënësve në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” dhe qytetarëve të pafajshëm në zonën e Smederevës.   

Deputetët e opozitës fajësuan qeverinë për situatën në vend duke kërkuar dorëheqjen e kryeministres Brnabiç, si dhe formimin e Komisionit Hetimor për të përcaktuar faktet dhe rrethanat që çuan në vrasjet e fundit. Vetë Brnabiç tha se opozita ka kërcënuar me jetë atë dhe presidentin Vuçiç duke e keqpërdorur politikisht këtë situatë.

Pas masakrës ku mbetën të vrarë 8 nxënës dhe një roje sigurie, orët e fundit ka patur një seri alarmesh të rreme për vendosje bombash në 78 shkolla fillore dhe 37 të mesme anekënd Serbisë.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç njoftoi një nismë për dorëzimin e armëve dhe qytetarët kanë dorëzuar deri tani mbi 15 mijë armë të paregjistruara, në këmbim të amnistisë nga veprat penale.
Ndërkoh, policia serbe në qytetin  Ruma, pasditen e sotme ka arrestuar një të ri, i cili sot nga një raketahedhës ka gjuajtur një projektil dhe ka shkatërruar një ndërtesë të braktisur pranë stacionit hekurudhor në këtë qytet të Vojvodinës, raportojnë mediat rajonale.

Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 14:00 në Platiçevë dhe ka shkaktuar shembjen e objektit të vogël, por nga incidenti nuk ka të lënduar.

Sipas informacioneve jozyrtare është arrestuar një 25-vjeçar i cili është liruar nga trajtimi neuropsikiatrik një ditë më parë.

“U konstatua se në objektin e vjetër, të braktisur të stacionit ka rënë zjarr. Menjëherë janë lajmëruar zjarrfikësit të cilët me shpejtësi kanë lokalizuar dhe më pas kanë fikur zjarrin”, shkruan gazeta “Blic”, duke thënë se janë shkaktuar dëme të tjera materiale.

Leave a Comment

Your email address will not be published.