Ministri Petkoviq e cilësoi si “listë për pushkatim”, listën e publikuar nga Kurti të personave që morën pjesë në trazirat në veri

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mundur ta “fusë cilindo serb” nga Kosova në listën që e lexoi në seancën e Kuvendit të Kosovës.

“…sepse, njerëzit tanë në katër komunat në veri të Ibrit janë të bashkuar në rezistencën e tyre ndaj sundimit të terrorit të tij”, tha Petkoviq, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e tij, e në të cilën kryeministri i Kosovës përshkruhet me shprehje fyese.

Duke folur të premten para Kuvendit të Kosovës, Kurti lexoi emrat e disa personave, për të cilët pretendoi se kanë qenë të përfshirë në përleshjet me paqeruajtësit e KFOR-it dhe me Policinë e Kosovës, gjatë protestave të qytetarëve serbë, më 29 maj, në Zveçan.

E Petkoviq e cilësoi atë si “listë për pushkatim”.

Ai tha se me publikimin e saj, Kurti “ka marrë peng të gjithë ata banorë të ‘Kosovës dhe Metohisë’ që duan vetëm paqe, stabilitet dhe mundësi për të jetuar në një shoqëri pak a shumë normale, në kohë paqeje”.

Në komunikatën e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë thuhet, po ashtu, se Kurti e ka humbur mbështetjen e ndërkombëtarëve – pa u specifikuar se të kujt – dhe se po përpiqet ta pengojë me forcë largimin e tij “në histori politike”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës u shoqëruan me forca të sigurisë për shkak se është dashur të sigurohet hyrja e tyre në objekte komunale pa pengesa.

Këto deklarata kryeministri Kurti i bëri gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për situatën në veri të Kosovës. Ai theksoi se ky nuk ishte vendim politik.

Kryeministri Albin Kurti në këtë rast  ka publikuar emrat e disa prej njerëzve që ka thënë se janë organizatorët kryesorë të trazirave në veri ditëve të fundit.

Leave a Comment

Your email address will not be published.