Turqia ka në plan që të dërgojë forca ushtarake në Kosovë gjatë së dielës dhe të hënës si përgjigje për kërkesën e NATO-së për t’ju bashkuar KFOR-it në ruajtjen e paqes në Kosovë.
Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka lëshuar një qëndrim ku thërret për konstruktivitet dhe dialog për ta zgjidhur krizën në veri që sipas tyre rrezikon sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
“Një njësi e caktuar (batalion komandosh) është planfikkuar që të dërgohet në Kosovë në datat 4 dhe 5 qershor”, thuhet në njoftim, raporton Reuters.
Kujtojmë se presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan më 31 maj ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në një njoftim të Presidencës është bërë e ditur se në këtë bisedë telefonike është diskutuar edhe për zhvillimet në veri të Kosovës, duke theksuar se procesi i dialogut është mënyra për vendosje të paqes.
“Gjatë thirrjeve ku u trajtuan edhe marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale, presidenti Erdogan për zhvillimet që po ndodhin në veri të Kosovës u shpreh se sigurimi i progresit në procesin e dialogut është mënyra e vetme për vendosjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon”- thuhet në njoftim.
Tutje, në njoftim potencohet se presidenti Erdogan theksoi se Turqia është e gatshme të japë kontributin e nevojshëm në procesin e dialogut.
JFC Napoli ka shkruar në Twitter se po monitoron nga afër situatën dhe se KFOR-i mbetet i përkushtuar në ndërtimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë.
Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – të gjithë shqiptarë – u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.