Deputetja britanike, Alicia Kearns, që ka qenë e zëshme në mbrojtje të Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit në veri, ka folur në parlamentin britanik për të njëjtën temë, duke kërkuar shpjegim nga qeveria britanike për, siç thotë ajo, presionin e tepruar mbi Kosovën.
Kearns shpjegoi në detaje se si ndodhën zhvillimet në komuna veriore, duke thënë se hyrja e kryetarëve në komuna u shndërrua në dhunë shkaku i forcave të orkestruara përreth objekteve të komunave, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Në fillim të këtij viti, Beogradi orkestroi bojkotimin e zgjedhjeve demokratike [në veri]. Si rezultat, rezultat të cilin e njohu edhe Perëndimi, vetëm 3% të qytetarëve votuan. Javën e kaluar, kryetarët tentuan të hynin në zyret e tyre, jo në një mënyrë të dhunshme, mirëpo u shndërrua në dhunë si pasojë e veprimeve të orkestruara përreth zyrave të kryetarëve komunalë”, tha ajo.
“Nëse forca armiqësore do tentonin të merrnin përsipër zyret komunale në Britani të Madhe, ne s’do t’u thonim [kryetarëve] shkoni e punoni nga shtëpia, por do thonim se kjo është një përpjekje e papranueshme për ta ngulfatur demokracinë”, shtoi Kearns.
Sipas saj, aleatët ndërkombëtarë po bëjnë gabim që “po sulmojnë” Kosovën e jo Beogradin.
“Është gabim që BE dhe SHBA zgjedhin ta sulmojnë Kosovën pa asnjë kritikë drejtuar milicisë së armatosur që shkaktuan këtë situatë”.
“Së dyti, çfarë masa po ndërmarrim ndaj Beogradit? Sepse në këtë moment, duket se diplomacia parandaluese ka dështuar. Si dallon diplomacia jonë nga ajo e SHBA-së dhe BE-së? Sepse jemi shumë të qetë në atë që po ndodh tani”, tha Kearns në parlament.