Paraburgim për tre policët e kidnapuar, hidhet poshtë akuza për terrorizëm

Tre policëve të Kosovës të arrestuar ditë më parë nga forcat serbe në territorin e Kosovës u është dhënë masa e paraburgimit. Kryeministri Albin Kurti,  ka theksuar se në bazë të informacioneve që posedon, prokurori serb i ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë e mori vendimin pas kërkesës së prokurorit publik të këtij qyteti, shkruan Rel. Tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e paraburgimit.

Familjarët kanë treguar se deri më tani policëve të kidnapuar nuk i kanë dhënë leje të bisedojnë me ta në telefon.
Autoritetet serbe nuk i kanë dhënë leje avokatëve kosovar të shkojnë në Serbi për t’i mbrojtur tre policët e kidnapuar.
Njëri nga tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës që u kidnapuan nga forcat serbe, ishte në pushim mjekësor përpara situatës së tensionuar në veri. Megjithatë, ai ishte kthyer në punë në mes të pushimit mjekësor, përkundër që ishte i diagnostikuar me astmë dhe po merrte trajtim për të në baza ditore. Policit Mustafa i kanë ofruar ilaçet e nevojshme pasi që ai ka probleme me mushkri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një panel diskutimi në Forumin e Prespës në Maqedoninë e Veriut, ka theksuar se në bazë të informacioneve që posedon, prokurori serb i ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar të Kosovës, ndërsa i ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për posedim të paligjshëm të armëve.

“Së fundmi, tre policë janë rrëmbyer në bashkinë veriore të Leposaviqit. Ata janë duke u përballur me gjykatën në këtë moment, në Kralevë. Prokurori ka hedhur akuzat për terrorizëm, por ka mbajtur ato për armëmbajtje pa leje. Ata ishin policë, ata janë rrëmbyer 1 km brenda kufirit të Kosovës”, ka thënë ai në Forumin e Prespës.

Kurti ka falënderuar Departamentin amerikan të Shtetit, pas të njëjtit kërkuan lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës.

“Së pari, këta policë duhet të kthehen, por, në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare duhe ta dënojë me vendosmëri dhe qartë agresionin e Serbisë në Kosovë”, shtoi Kurti.

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.