Në udhëtimin e Komunitetit Shqiptar të Selanikut drejt Shqipërisë së Epërme, natyrisht do të ndalonim për të marrë bekimin e burrit të Epërm të shqiptarëve, Skanderbeut. Legjendës heroike, që për 25 vjet mposhti hordhitë osmane, duke u mbajtur pa shuar në kujtesën historike dhe kulturore të shqiptarëve.
Nga Luan ZYKA
Ndoshta pa legjendarin Skanderbe, rraca shqiptare do i përkiste vetëm legjendave mitike të së shkuarës.
Nën përkujdesjen e Paulin Zefit, Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Lezhë, aty tek Memoriali historik mikprisnin shqiptarët e Selanikut rapsodi i njohur Gjon Frroku, studiuesi Gjon Marku, Nikoll Coku etj. I kish rregullu të tana Mark Marku.
Ciceronia po na tregonte bëmat historike në këtë vend të lashtë e të shenjtë për shqiptarët. Këtu ku Skanderbegu arriti ti bashkojë shqiptarët në Besëlidhjen e Lezhës kundër hordhive osmane.
Po, këtu ku ai la frymën e fundit mbi dhe duke u dhënë shqiptarëve mesazhet e mëdhaja të lirisë dhe bashkimit.
Në emër të shqiptarëve të Selanikut, vendosëm një tufe me lule prej tokës së Selanikut, prej atij dheu ku, në Malin e Shenjtë (Άγιον Όρος), ka kaluar ca kohe i jati i Skanderbegut, Gjon, si edhe prehet i vëllai i tij, Reposhi.
Është e pakufishme hapësira e heronjve, dhe si e tillë të fton për surpriza interesante.