Zbulohet sasi e madhe e armatimit në veri të Kosovës

Policia e Kosovës ka zbuluar sasi të mëdha të armatimeve në një veturë me targa të Beogradit, afër Komunës së Zveçanit. Për këtë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës të premten ka parandaluar një sulm terrorist. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi që do të mund të kishte ndodhur nga personi tek i cili më 23 qershor iu gjet sasi e madhe armësh të sjellë nga Serbia, do të kishte pasoja të mëdha. 

Ministri Sveçla nëpërmjet një postimi në Facebook ka dhënë detaje për këtë zbulim, i cili ka shkruar se falë angazhimit intenziv të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës dhe informatavetë inteligjencës së pranuar, sot është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100 m larg Komunës së Zvecanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshi Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake.
“Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tone”, shkruan Sveçla. Sipas tij, Policia e Kosovës bashkë me të gjitha organet tjera të sigurisë vazhdojnë angazhimet e tyre në parandalimit e çdo akti të mundshëm që synon cenimin e sigurisë së vendit tonë.
“Ky rast konfirmon informacionet e pranuara nga Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake”, shkruan ai.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka treguar sasinë e madhe të armatimit që u konfiskua të premten në Zveçan në një veturë me targa nga Beogradi.
Sipas institucioneve të sigurisë, u parandalua një sulm terrorist ndaj qytetarëve të Kosovës.

Në një konferencë për media, Hoxha ka thënë se strukturat ilegale kanë deponuar sasi të mëdha të armëve në Zveçan që të njëjtat të përdoren në sulme terroriste.

Disa prej tyre janë konfiskuar, por drejtori i PK-së ka thënë se numri i armatimeve që janë futur në Zveçan nga Serbia është më i madh.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi që do të mund të kishte ndodhur nga personi tek i cili më 23 qershor iu gjet sasi e madhe armësh të sjellë nga Serbia, do të kishte pasoja të mëdha. Kurti ka deklaruar se Serbia e ka përshkallëzuar situatën më tej me organizimin e sulmeve terroriste në Kosovë.

“Serbia qartazi është e pozicionuar për përshkallëzim të situatës. Përveç agresionit që Serbia ka ndërmarrë ndaj Republikës së Kosovës duke rrëmbyer 3 zyrtarë të Policisë së Kosovës brenda territorit tonë në 14 qershor 2023, ajo luftimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës e ka çuar një hap me tutje me organizimin e sulmeve terroriste”, ka shkruar në Facebook.
Kurti ka shtuar se armatim i tillë i gjetur të premten ishte përdorur edhe në sulmin kundër pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan nga protestuesit serbë.
“Panorama e këtij organizimi terrorist është e qartë: vetura me targa të Beogradit, pronë e ndërmarrjes shtetërore të hekurudhave të Serbisë; armatimi i gjetur i gjithi prodhim i Serbisë, ndër to granata të dorës prodhuar në vitin 2021, të tilla që janë përdorur në sulmin e 29 majit 2023 në Zveçan kundër ushtarëve të KFOR-it; jelekë me mbishkrime të njësiteve ruse, serbe dhe logo e shenja identifikuese të organizatës “Severna Brigada”, si dhe mjete shpërthyese të përdorura më herët nga formacioni ilegal me aktivitete kriminale “Mbrojtja Civile”. Sasia e madhe e armatimit të gjetur tregon për përmasat e aksionit të planifikuar e të pasojave të parandaluara”, ka thënë Kurti.

Mund të jetë një imazh i çantë e veglave

Mund të jetë një imazh i makinë

Leave a Comment

Your email address will not be published.