Vidovdani këtë vit do të mbahet në Manastirin e Graçanicës, jo në Gazimestan

Manastiri i Deçanit, ka njoftuar se për shkak të situatës së tensionuar në veri, ceremonia tradicionale, përkujtimore e Vidovanit, e planifikuar më 28 qershor, nuk do të mbahet në vendin e saj të zakonshëm, në monumentin e heronjve të Kosovës afër Prishtinës.

Në vend të kësaj, do të zhvillohet në Manastirin e Graçanicës. Sipas njoftimit, Peshkopi Teodosije u takua sot me komandantin e KFOR-it, gjeneral Ristuccia dhe shprehu shqetësimet e tij të thella për përkeqësimin e fundit të situatës së sigurisë në Kosovë.

“Besojmë se ky vendim është e vetmja zgjidhje e përgjegjshme në një situatë ku ne dhe populli serb në tërësi nuk kemi besim themelor se sigurinë dhe kushtet normale për mbajtjen e përkujtimit në Gazimestan mund t’i sigurojë policia e Kosovës”, thuhet në njoftim edhe nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit.

Theksojmë se kjo është hera e parë, që nga përfundimi i konfliktit të armatosur në Kosovë në vitin 1999, që merret një vendim i tillë, “i cili vetëm tregon peshën e situatës së sigurisë, por edhe mosbesimin tonë të plotë në institucionet aktuale në Prishtinë”, thuhet tutje.

Ndër vite, Vidovdani është organizuar më 28 qershor në Gazimestan.

“Njerëzit tanë jetojnë aktualisht në pasiguri dhe mungesë totale të të drejtave dhe lirive bazike, sidomos pas serive të fundit të arrestimeve dhe të abuzimeve të serbëve të arrestuar”, thuhet në deklaratën e dioqezës.

“Kjo do të jetë hera e parë që nga përfundimi i konfliktit të armatosur më 1999, që merret një vendim i tillë, gjë që tregon jo vetëm seriozitetin e situatës aktuale, por edhe mosbesimin tonë të plotë në institucionet ekzistuese në Prishtinë, që për fat të keq, po shpijnë në nivelin më të ulët të raporteve ndëretnike në Kosovë, në 24 vjetët e fundit”, thuhet tutje në njoftim.

Më herët gjatë ditës, peshkopi Teodosije Shibaliq ka takuar komandantin e KFOR-it. Sipas një njoftimi nga KFOR-i, Shibaliq ka shprehur “shqetësimet për tensionet e përshkallëzuara duke pohuar se Kisha Ortodokse Serbe ka mbajtur qëndrimin se të gjitha problemet duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe përmes dialogut”.

Sa herë është manifestuar Vidovdani në Gazimestan, ka pasur provokime ndëretnike nga vizitorët. Vitin e shkuar, disa serbëve iu ndalua hyrja në Kosovë për shkak të fanellave provokuese. Ka pasur edhe arrestime.

Leave a Comment

Your email address will not be published.