“Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës

Në mbledhjen e sotme (e enjte) Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada) – organizata këto që operojnë në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, duke thënë se ato janë përgjegjëse për tensionet e fundit në këtë zonë. Sipas ligjeve të Kosovës, me shpalljen organizata terroriste, ndalohet menjëherë aktiviteti i Mbrojtjes Civile dhe Brigadës së Veriut. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre parasheh pasoja të rënda ligjore.

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e së enjtes ka theksuar se këto organizata paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës.

“Bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës, formacionet ilegale ‘Mbrojtja Civile’ dhe komponenta e saj ‘Brigada e Veriut’ paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës”, ka theksuar Kurti në mbledhjen e qeverisë.

Ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se janë duke punuar për t’i identifikuar dhe reaguar kundër kërcënimeve ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Ai ka thënë se në këtë drejtim, terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm mbetet një ndër shqetësimet kryesore që  e kanë kërcënuar Kosovën.

“Në kuadër të mandateve përkatëse, institucionet relevante kanë identifikuar disa grupe terroriste që janë duke kryer veprime të drejtpërdrejta terroriste ndaj Kosovës. Këto grupe ndër vite janë toleruar. Për më shumë se 2 vjet, vendimet tona të ligjshme janë sfiduar me barrikada, sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë, sulme ndaj objekteve shtetërore, sulme ndaj kundërshtarëve politikë, sulme ndaj gazetarëve dhe të ngjashme. MPB-ja është angazhuar në identifikimin e këtyre personave që kanë shkaktuar vepra penale”, ka thënë ai.

Ky propozim i Qeverisë u kundërshtua nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq. Rashiqi kërkoi nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, që ta rishqyrtojë propozimin, e të mos “merren vendime të ngutshme”. Ai ishte vota e vetme kundër.

Çka parasheh legjislacioni kosovar për organizatat terroriste?

Sipas ligjeve të Kosovës, me shpalljen organizata terroriste, ndalohet menjëherë aktiviteti i Mbrojtjes Civile dhe Brigadës së Veriut. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre parasheh pasoja të rënda ligjore.

Kodi Penal i Kosovës e cilëson “terrorizëm” ekzekutimin e një apo më shumë akteve të përgjakshme “me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, kushtëzimit të paligjshëm të institucioneve, qeverisë apo organizatave ndërkombëtare, destabilizimit apo shkatërrimit të strukturës politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Kosovës”.

Këtu përfshihen një sërë veprash: vrasja, marrja e pengjeve apo rrëmbimi, furnizimi, transportimi dhe përdorimi i armëve, eksplozivit ose armëve kimike, biologjike e të tjera.

Kryerja e veprave terroriste është e dënueshme me jo më pak se 5 vjet burgim, por kur vepra terroriste rezulton me lëndime të rënda trupore të një apo më shumë personave, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kur vepra terroriste rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me së paku 15 vjet burgim. Ndërsa, për ofrimin e ndihmës në kryerjen e veprave terroriste, dënimi shkon deri në 10 vjet burgim.

Rekrutimi për terrorizëm dënohet deri në 15 vjet burgim, njëjtë siç dënohet edhe trajnimi për kryerjen e veprave terroriste. Kushdo që shpallet fajtor se ka organizuar apo drejtuar një grup terrorist, dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim deri në 20 vjet.

Leave a Comment

Your email address will not be published.