Samiti i Procesit të Berlinit, nis takimi përgatitor i Ramës me liderët e rajonit, mungon Kurti

Ditën e sotme liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor vijnë në Tiranë, në kuadër të takimit informal

Samiti zyrtar i Procesit të Berlinit mbahet në tetor në të cilin Albin Kurti konfirmoi se do të marrë pjesë. Mikpritësi kryeministri Edi Rama mbërriti i pari në Vilën qeveritare numër 30 për t’ja lënë vendin ardhjes së katër kryeministrave të tjerë.

Përballë Oliver Varheily, komisioner për zgjerimin me BE, në drekën e punës kryeministri Edi Rama e ka vënë theksin në nevojën e pasjes së një qëndrimi të unifikuar të kërkesave për BE gjatë Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë pas dy muajsh.

Kosova mungoi në këtë takim paçka informal, tejet i nevojshëm për këtë proces sa politik e me theks tek ndërlidhja rajonale e me përfitime ekonomike.

Pak përpara se në Tiranë të niste ky takim nga Prishtina, zyra e zëvendës kryeministrit Besnik Bislimi, u kujdes në të theksuarin e mos-pjesëmarrjes edhe të zëvendës kryeministrit, në mungesë të shefit të qeverisë së Kosovës që ndodhet në Greqi.

Takimit informal që supozohej të ishte 6+1 por u zhvillua 5+1 i parapriu një turi ballkanik dy ditor i kryeministrit Edi Rama në çuarjen përpara të Procesit të Berlinit, në një kohë që Shqipëria mban kryesimin e kësaj nisme.

Megjithatë, as ky takim joformal nuk pritet të ulë në një tryezë kreun e ekzekutivit shqiptar, Rama, dhe homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti, marrëdhënia e të cilëve është ftohur prej disa muajsh.

Kreu i ekzekutivit kosovar, Kurti, sipas një njoftimi nga zyra e tij, sot do të jetë në Greqi, ku do të marrë pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, i cili është themeluar nga ish-kryeministri helenik, George Papandreou. Në takimin e së hënës mes udhëheqësve të rajonit, Serbia pritet të përfaqësohet nga kryeministrja Ana Bërnabiç.

 

Leave a Comment

Your email address will not be published.