BASHKIA KUKËS, NË BASHKËPUNIM ME FONDACIONIN “HASAN PRISHTINA”, INAUGUROJNË BUSTIN E HEROIT KOMBËTAR HASAN PRISHTINA

Fjalimi i Mehmet Prishtina – Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit “Hasan Prishtina”

Fondacioni “Hasan Prishtina”, për nder të dy jubileve, atë të 150 vjetorit të lindjes dhe 90 vjetorit të vrasjes së Kryeministrit të VIII-të të Shqipërisë – Heroit Kombëtar, Hasan Prishtina, ka organizuar vitin 2023 si viti i Hasan Prishtinës. Aktivitete të janë zhvilluar në kryeqendrat si Tirana, Prishtina, Shkupi, Selaniku, Dibër si dhe në shumë treva të tjera në të cilat ka vepruar kolosi ynë kombëtar Hasan Prishtina.

Për ndere te  festes se pavarësisë me 18 nëntor 2023 është inauguruar busti i Heroit Kombëtar Hasan Prishtina në Dibër, po ashtu me financim të Fondacionit “Hasan Prishtina” me 25 nëntor 2023 është inauguruar busti i Hasan Prishtinës në Prishtinë dhe për ta përmbyll këtë vit jubilar sot me inaugurimin e bustit të Heroit Kombëtar Hasan Prishtina në Kukës, po ashtu në këtë vit jubilar fondacioni ka ndihmuar botimin e librit për fëmijë “Më quajnë Hasna Prishtina”, libër ky i cili u promovua para pak ditësh në panairin e librit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Me iniciative të Fondacionit “Hasan Prishtina” nder vite janë realizuar shtatore për Heroin Kombëtar “Hasan Prishtina: në të gjitha kryeqendrat shqiptare, duke filluar me Tiranën, për të vazhduar me Prishtinën, Shkupin dhe Vlorën. Po ashtu janë organizuar simpoziume shkencore, ekspozita me fakte historike të nxjerra nga arkiva të shteteve të ndryshme, janë mbështetur botime librash dhe shumë e shumë aktivitete të tjera, më qellim trasimit frymës Hasaniste.

BETEJA HISTORIKE E HASAN PRISHTINËS NË ZHUR, MË 13 SHKURT 1915

“Na luftojmë e ndoshta nuk e gëzojmë (lirinë), por ata që vinë mbas nesh, kanë me i gjet shejet tona” – Hasan Prishtina, 1873-1933.

Ndonëse Shqipëria në periudhën 7 mars 1914 – 3 shtator 1914 ishte nën administrimin e princit gjerman Wilhelm Wid, gjatë kësaj kohe Kosova dhe viset tjera etnike shqiptare, (që me vendim të Konferencës së Londrës (1913), mbetën nën pushtimin e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë), përjetonin çastet më të vështira në historinë e saj.

Udhëheqësit e kryengritjes shqiptare në Kosovë: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini dhe qindra refugjatë tjerë nga Kosova, që ishin larguar pas kryengritjes së vjeshtës 1913, u strehuan kryesisht në Durrës dhe në Shkodër.

Princ Widi dhe qeveria e tij në krye me Turhan Pashën, ndonëse nuk arritën të krijonin një stabilitet të qëndrueshëm politik brenda kufijëve të Shqipërisë londineze, atëherë kishin pak mundësi të bëheshin hapa konkret, për çlirimin e Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare, ashtu siç kishin menduar disa krerë të kryengritjes nga Kosova, në fillim të ardhjes së Vidit (7 mars 1914) në Shqipëri.

Në këto rrethana u shtrua si detyrë imperative nga vet shqiptarët që të përgatiten për një kryengritje çlirimtare, kundër pushtuesve serb… Dhe këtë barrë të rëndë do ta marrë përsipër Hasan Prishtina.

PËRGATITJA E HASAN PRISHTINËS PËR KRYENGRITJE TË ARMATOSUR

Në gjysmën e dytë të vitit 1914, Hasan Prishtina pasi ka braktisur postin e ministrit (të postë-telegrafëve) që mbante në qeverinë e Durrësit (me kryeminmitër Turhan Pasha), kaloi në Shqipërinë veriore me qëllim të organizimit të një kryengritjeje antiserbe. Ishte koha kur Serbia ishte e zënë në luftë me Austro – Hungarinë, për shkak të vrasjes së princit Franc Ferdinand (më 28.VII.1914) në Sarajevë dhe këtë situatë Hasan Prishtina e vlerësoj si të favorshme për çlirimin e trojeve të pushtuara shqiptare.

Më 6 gusht 1914 konsulli austriak Karl, nga Durrësi njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë “mbi fillimin e aksioneve kundër pushtuesve serb” nga Hasan Prishtina, Selim Batusha, Bajram Daklani, Qazim Begolli e Halim Deralla (djali i Mehmet Derallës – Sh.B), të cilët kishin me vete ”lëndë plasëse dhe municion për mauzerët”.

Dy ditë më vonë (më 8 gusht) Karli përsëri njoftonte Vjenën për një protestë të konsullit Serb Gavrilloviq, drejtuar qeverisë shqiptare (të Durrësit) për fillimin e përgatitjeve të shqiptarëve kundër Serbisë, të udhëhequr nga Hasan Prishtina. Se kjo çështje në aspektin diplomatik, ishte bërë tepër shqetësuese për Serbinë, kuptohet edhe nga njoftimi i Ministrisë së Jashtme të Serbisë dërguar legatës mbretërore serbe në Romë, më 12 gusht 1914. Aty vihet në dukje veprimtaria e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Isa Boletinit etj, kundër politikës shoviniste serbe”. Këto zhvillime gjithashtu konfirmohen edhe nga shtypi i kohës.

RRUGËTIMI I HASAN PRISHTINËS

Sipas kujtimeve të I.Strazimirit, nga mbarimi i korrikut të vitit 1914, Hasan Prishtina me nja 150 dibranë e luftëtarë tjerë nga Kosova, ishte nisur nga Durrësi dhe fillimisht ndalet në Peshkopi. Në takim me parinë e Dibrës, tregon se Austro – Hungaria ka sjellë në Shëngjin armë e municion, dhe kërkon që të përgatitet një kryengritje kundër pushtuesve serb, sa më parë.

Në tubimin me dibranët, Hasan Prishtina kërkoi të miratohej edhe kjo deklaratë:

  1. T’i kërkohej Serbisë lirimi i tokave shqiptare, sepse nuk janë të saj dhe ajo nuk ka të drejtë dhe as është e aftë t’i qeverisë;
  2. Në rast se Serbia nuk pranon t’i lirojë me hir, ndaj saj do të përdorim forcën.

Prej Dibrës, Hasan Prishtina me bashkëluftëtarët e tij, kalon në krahinën e Lumës. Ato ditë para se të arrinte Hasan Prishtina në Lumë, krerët e kësaj krahine në një kuvend të mbajtur në Bicaj, kishin vendosur (kanë lidhur besën) që të mos përzihen (të mbeten asnjënës) në zhvillimet politike dhe ushtarake të kohës.

Në marrjen e këtij vendimi kishin ndikuar edhe ngjarjet dramatike të tetorit – nëntorit 1913, kur 27 fshatra të Lumës qenë djegur e shkrumbuar, ndërsa u vranë e u masakruan edhe qindra lumjanë nga ushtria barbare serbe. Përkundër këtij vendimi, Hasan Prishtina gjeti përkrahjen te një pjesë e krerëve lumjanë si te Hoxhë Mehmeti, Qazim Lika, Sali Spahija, Sulë Elezi, Xhafer Bislimi, Xhafer Shema, Laçët e Bardhocit…, por edhe te vet nënprefekti i Lumës me seli në Bicaj Sadik Gostivari. Në fshatrat e Lumës ndodheshin edhe dhjetra atdhetarë që kishin ikur nga Kosova dhe pritnin momentin për t´u kthyer atje.

Gjatë kësaj kohe Hasan Prishtina u strehua në shumë familje atdhetare të Lumës si: në Kolesjan, në Kukës, në Shtiqën, në Bicaj, në Gjinaj, në Kalimash, në Surroj, në Bardhoc, në Has etj.

Hasan Prishtina pati lëvizur edhe në Has e në Malzi për t´i bashkuar malësorët e kësaj zone në luftë kundër pushtuesve serb. Një gjë të tillë do ta bënte edhe Bajram Curri në Malësi të Gjakovës. Lëvizje për ta ndihmuar kryengritjen ka pasur edhe në krahinën e Dibrës, por jo në përmasa të mëdha.

BETEJA E ZHURIT, MË 13 SHKURT 1915

Pasi u bënë përgatitjet e duhura dhe u sigurua një forcë goditëse prej më shumë se 300 vetësh (disa burime flasin për 600 vetë) në kuvendin e dytë të mbajtur në Kullë Lumë, u përgatit plani për të sulmuar fillimisht Garnizonin serb të dislokuar në fshatin Zhur.

Meqë luftëtarët i kishin zënë të gjitha shtigjet dhe rrugët që të shpienin në drejtim të grykës së Zhurit, fillimisht grupi i drejtuar nga Hasan Prishtina i këputën telat (lidhjet) telegrafike e telefonike në malet e Koretnikut. Gjatë kësaj kohe në krahun e djathtë të shpatit të malit Koretnik do të arrijnë edhe malësorët nga fshatrat: Zapod, Belja, Lojme, Nimc të udhëhequr nga Rasim Selmani, për të mbështetur sulmet që do të kryhen kundër përqëndrimit të forcave kufitare serbe.

Kryengritësit shqiptar në agun e mëngjesit, të ndihmuar nga mulla Nasuf Hoxha i Zhurit, u futën në fshat dhe pasi e rrethuan garnizonin serb, u vendosën nëpër llogore – istikame që i kishin hapur vet forcat serbe. Shenja e fillimit të sulmit qe shpërthimi i një bombe nga luftëtari Xhemë Voka prej Shtiqënit. Komanda serbe e alarmuar nga shpërthimi, dha urdhër për të dalur në pozicione, mirëpo forcat shqiptare sulmuan furishëm repartet serbe.

Luftimet qenë të përgjakshme dhe pati përleshje trup më trup. Me kryengritësit, u bashkuan edhe shumë burra të Zhurit, Dobrushtit, Shkozës e të Vërmicës, të cilët me pushkë e sopata, kosa e thika, sulmuan ushtarët serb. Kushtrimin për t´ju bashkuar radhëve të Hasan Prishtinës e dha atdhetari zhurjan Asllan Rexhë Ademaj.

Në këtë betejë që zgjati disa orë rresht u vranë rreth 100 ushtarë serb, (përfshirë këtu edhe disa oficerë) dhe repartet e armikut u shpartalluan plotësisht.

MARSHIMI I KRYENGRITËSVE NË DREJTIM TË PRIZRENIT

Kryengritësit shqiptar pasi morën nën kontroll Qafën e Zhurit marshuan në drejtim të Prizrenit. Ndonëse krismat e bombave dhe të pushkëve kishin alarmuar edhe komandën qëndrore serbe në Prizren, ajo në drejtim të Zhurit kishte nisur disa reparte ushtarake. Ndërkohë që forcat kryengritëse shqiptare kishin arritur tek Ura e Vlashnjës (në jug të Prizrenit) ata do të përballen me repartet serbe. Kryengritësit shqiptarë të pozicionuar në zonën: Bregu i Drinit – Vlashnje – Poslisht – Billushë, zhvilluan një përleshje të përgjakshme me repartet serbe, të cilat me këtë rast përdorën edhe artilerinë e rëndë.

Në këto përleshje nga predhat e topit u vranë: Nebi Latifi e Brahim Jashari nga Brruti dhe dy burra trima nga fshati Kabash i Prizrenit. Pas një qëndrese heroike, forcat shqiptare (në munges të municionit) dhe të ndodhur përballë një armiku shumfishë më të madh në numër e të armatosur me topa e mitralozë, u detyruan të tërhiqen në drejtim të Zhurit, për të kaluar pastaj nëpër malet e Koretnikut dhe të Gjallicës në thellësi të krahinës së Lumës.

Hasan Prishtina pas largimit nga zona e luftimeve, duke e përjetuar rëndë këtë disfatë do të deklaronte: ”Na luftojmë e ndoshta gja nuk gëzojmë (lirinë), por ata që vinë mbas nesh kanë me i gjetë shejet tona…” Ato ditë, Hasan Prishtina me disa luftëtarë nga fshati Dobrusht kalon Drinin e Bardhë dhe kalon në Has, dhe prej kësaj zone pas disa ditësh shkon në Shkodër.

Pas kësaj kryengritjeje të përgjakshme, banorët e fshatrave Zhur, Shkozë, Dobrusht e Vërmicë, për t´i shpëtuar masakrave serbe, u detyruan të shpërngulen nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në fshatrat e Lumës: Shtiqën, Nangë, Bicaj, Gabrricë, Kolesjan etj. Atje qëndruan rreth tre muaj dhe pikërisht ditën e shëngjergjit, më 6 maj 1915 do të kthehen në shtëpitë e tyre, të cilat ishin plaçkitur, djegur e shkatërruar nga ushtria serbe dhe nga serbët lokal (sreckalitë), të ashtuquajtur si “raja serbe” e Prizrenit. Pushtuesit serbë, përkundër vrasjeve e masakrimeve, djegjeve e shkatërrimeve të vendbanimeve shqiptare, çarmatosjes me dhunë, marrjes peng dhe burgosjeve të shumta…, shpërnguljeve të mijëra shqiptarëve për në Turqi e gjetiu, nuk mundën ta shuanin dot qëndresën shqiptare për çlirim e bashkim kombëtar. Rezistencën shqiptare e vazhdoj çeta e Azem e Shote Galicës.

Shtatoret e Heroit Kombëtar Hasan Prishtina dhe Profetësia e Luigj Gurakuqit

Reportazhi i 31 Mars 1910, në gazetën “Tomorri” të Lef Nosit, flet për mbërritjen në shkollën “Normale” të 19 nxënësve nga Kosova të financuar nga atdhetari i shquar Hasan Prishtina, dhe pasqyron entuziazmin me të cilin ata u pritën nga populli i Elbasanit.

“Të enjten më 25 të muajit-shkruhet në gazetë – nxanësit e shkollës ‘Normale’ bëshkë me profesorët e t’yne, me qeleshet e bardha përmbi krye, kishin dalun me kohë për jasht qytetit për me pritun 19 djemt, që po vinin prej Kosove dhe Struge. Kishin dalë përpara t’i presin edhe një shumësi e madhe prej qytetarëve që u mallëngjehet zemra për përparimin e kombit dhe për një arsim të vërtetë për bijtë e Shipënis. Nxënësit bashkë me popullin zunë vend në kopësht të madh të shkollës, ku nga ana e këshillës së profesorëve i palodhuri atdhetar Luigj Gurakuqi, me atë ambëlsi gjuhe dhe bukuri të folunit, e cila kurdoherë karakterizon fjalët e tij tha:

“ … me përpjekjet e parreshtuna të këtij zotnie (Hasan Prishtinës) ka me ardhë një ditë, dhe nuk asht e largët, kur me ditunië të vërtetë dhe me themel, me një arsim krejt kombëtar do të dritësohet dhe do të marrë rrugën e qytetnimit gjith ajo Kosovë burrnore, gjithë ai vend i atdheut të dashun, ku kanë shkëlqyer kurdoherë besa ma e madhe dhe trimnia ma e rrallë, me të cilat asht pajuar kombi shqiptar. Historia e kombit tonë me shkronja t’arta, me shkronja të çkëlqyme do të shkruajë ndër faqet e’ saj shërbimet e mëdha, punët e shënuara, … të cilat asht tue bâmun deputeti i adhurueshëm ndër deputetet t’onë Hasan be Prishtina në fushë atdhesisë… brez pas brezi, zemrat e djeguna t’atdhetarëvet emënin t’uaj kânë me bekuar, dhe një shtat (shtatore) i shkëlqyeshmë, një shtat i mermertë që do të ngrehet për ju, pasi mote të kalojnë, ka me leçitun për para botës së qytetënueme, që një komb i gjithë ju ka detyrë!”

Dhe profetesia doli. Shtatorja e Hasan Prishtinës u ngrit në 100 vjetorin të pavarësisë se Shqipërisë ne qendër te Tiranës, njëjte siç u ngritën shtatore për Heroin Kombëtar Hasan Prishtina edhe në Shkup, Prishtinë, Vlorë, Dibër dhe sot po inaugurohet busti në Kukës për ta pasuar një shtatore të lartë pikërisht si premtim nga Kryetari i Bashkisë Kukës z. Alber Halilaj i cili tanimë veçse ka nisur procedurat.

Me poshtë, foto gjate ceremonisë se inaugurimit të bustit të Heroit Kombëtar Hasan Prishtina në Kukës:

Leave a Comment

Your email address will not be published.