Fondacioni “Hasan Prishtina” përkujton Heroin e Kombit Azem Bejtë Galica

U lind në fshatin Galicë në vitin 1887. Bejta, babai i tij dhe Sherifja , nëna e tij kalonin një jetë në varfëri si shumica e banorëve të fshatit të tij. Atyre u lindën këta fëmijë: Seferin, Zenelin, Azemi, Mihanja dhe Ademi. Në vitin 1907 në luftë kundër ushtrisë turke vritet Bejta, babai i Azemit. Në vitin 1910 Isa Boletini me kryengritës ishte nisë nga Mitovica për në Drenicë dhe kur arritën në fushë në mes të Prekazit dhe Palacit e pa një burrë që e ngaste kalin dhe burrave të Drenicës iu drejtau: I kujt është ky djalë? Dhe mori përgjigjen i Bejtë Galicës! Isa e kishte vlerësuar se ishte trim dhe se dinte të qëndronte mbi kalë ashtu si duhet të qëndronte luftëtari. Nga kjo kohë e deri në vdekje Azemi nuk i kishte harruar fjalët e Isa Boletinit. Asaj rruge vazhduan dhe Azemi mori pjesë në Betejën e Carralevës më 1910 dhe në luftë kishte treguar trimëri . Që nga kjo kohë e deri në vitin 1912 Drenica mori pjesë në të gjitha luftërat që u zhvilluan kundër Perandorisë Osmane. Paria e Drenicës në fillim e kishte përkrahur Isa Boletinin, pastaj Hasan Prishtinën, Ahmet Delinë, Azem Bejtën, Shaban Palluzhën, Adem Jasharin dhe të tjerë. Në këtë kohë me trimëri ishte bërë i njohur Ahmet Delija dhe Azemi ishte bërë luftëtar i tij. Azem Bejta mori pjesë në kryengritje e përgjithshme shqiptare dhe në luftë kishte treguar trimëri të rrallë. Ai kishte arritur deri në Shkup dhe atje kishte takuar edhe Isa Boletinin, i cili ishte bashkë me Hasan Prishtinën të cilit i kishte thënë se ky është bashkëvendës i yti dhe është djali i Bejtë Galicës, i vrarë më 1907 kundër ushtrisë turke. Kur Serbia kishte sulmuar në Llap Azem Bejta mori pjesë në luftë dhe kishte treguar guxim të madh. Në luftën e Llapashticës Azemi ishte takuar me Isa Boletinin, i cili e përshëndeti si baba djalin . Pas pushtimit të Kosovës nga ushtria serbe Azemi nuk iu dorëzua forcave pushtuese serbe. Por i ndodhi rastësia dhe ushtria e zuri. E dërguan në kampin e formuar i njohur me emrin Balta e Runikut dhe pas disa dite ishte arratisur . Në një luftë me ushtarët serbë u vra edhe Ahmet Delija, dhjetor 1912, i Prekazit. Azemi me shokë vazhdoi rezistencën, por duke mos e pritur më të keqën ra në pritë të xhandarmërisë serbe. E burgosën dhe e çuan në burgun e Pozharevcit nga i cili iku në vitin 1915 dhe erdhi në Drenicë. Azemi pas ardhjes në Drenicë u martua me Shotën – Qerime Halilin e Radishevës dhe vazhduan jetën në Lëvizjen Kaçake . Azemi iu bashkua çetës së Shaqir Smakës, i cili ishte prijësi më i shquar i Lëvizjes Kaçake që nga vdekja e Ahmet Delisë e deri në vrasjen e tij në fshatin Banjë në vitin 1916. Në këtë luftë mori pjesë edhe Azem Bejta me Shotën. Azemi pas vrasjes së Shaqir Smakës 1916 e deri në vitin 1924 ishte komandanti më i njohur i Lëvizjes Kaçake në Kosovë dhe sidomos pas formimit të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës me seli në Shkodër ishte pranuar prijës i të gjitha çetave kaçake në Kosovë dhe të gjitha lidhjet dhe udhëzimet i vinin së pari Azem Bejtës dhe pastaj ato janë përcjellë në viset e tjera të Kosovës. Azemi kishte vazhduar luftën kundër Austro-Hungarisë dhe në vitin 1918 kishte arritur ta çlironte tërë Drenicën dhe pastaj edhe Pejën. Te Përroni i Keqë në Drenicë kishte zënë edhe një numër të madh të ushtarëve të saj dhe ua dorëzoi ushtarëve francezë në Mitrovicë. Azemi sa ishte prijës i Lëvizjes Kaçake kishte marrë pjesë në më shumë se 60 luftëra jo vetëm në Drenicë, por edhe në Shalë të Bajgorës, Vushtrri, Llap dhe në Malësi të Gjakovës . Azemi nga viti 1921 deri në vitin 1923 luftonte nëpër vise të ndryshme të Dukagjinit dhe Drenicës, kurse dimrit ishte në Zonën Neutrale të Junikut. Atje ka bashkëpunua me Hasan Prishtinën dhe Bajram Currin dhe në aspektin politik ishte orientuar për forcat demokratike dhe ka përkrahur të gjithë ata që ishin të orientuar për luftë në Kosovë dhe për bashkim me Shqipërinë. Në Janar të vitit 1923 qëndrimi në Junik u pamundësua si nga ushtria shqiptare, e cila e para hyri në Zonën Neutrale të Junikut dhe pastaj edhe ushtria serbe. Azemi ishte tërhequr në brezin kufitarë, por edhe prej aty u detyrua të largohej dhe mori vendimin që të kthehej në Drenicë. Azemin në Drenicë e priti ushtria dhe xhandarmëria serbe me luftë. Por në luftë ishte vështirë ta zënin dhe për këtë qëllim i filluan bisedimet për dorëzimin e tij. Me delegacionin e Mbretërisë Serbe-Kroate dhe Sllovene zhvilloi katër bisedime-negociata dhe më në fund u morën vesh që të formonte një zonë ku do të qëndronte dhe ajo në popull është e njohur si “Shqipnia e Vogël” . Azem Bejta në këtë kohë e ndërtoi kullën në Galicë me ndihmën e fshatarëve të Drenicës dhe të tjerëve. Ajo në të vërtetë u bë Oda e Lëvizjes Kaçake dhe selia e koordinimit e të gjitha luftërave kundër ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe. Në këtë kohë u munduan me pabesi ta vrasin disa herë Azem Bejtën, por nuk ia dolën. Më në fund më 14 korrik 1924 e rrethuan kullën e Azemit në Galicë përveçë ushtarëve (këmbësori dhe artileri) edhe xhandarmëria dhe filloi lufta më 15 korrik 1924. Azemi në dalje nga kulla ishte plagosur, por e kishte vazhduar luftën dhe për të dytën herë u qëllua dhe ishte plagosur për vdekje. Vdiq më 24 korrik 1924 dhe është varrosur në shpellën e njohur me emrin “Çuku që Kërcet” të Përçevës. Të gjithë qanin dhe në këtë rast Shota para se të lëshohej kufoma në shpellë kishte thënë këtë: “Azem, Drenica jote që të deshti dhe e deshte aq fortë, sikur bëhej më e qeshur kur vije ti, rrugët, lëndinat, fushat e malet ku kishe ecur ditëve të fëmijërisë, e më vonë me luftërat që zhvillove në kohën e burrërisë, sikur merrnin tjetër pamje, tjetër dritë. Azem, kush do ta merrte me mend që një ditë do të ndahemi kaq shpejt, kaq papritur. Po ndahemi sot nga trimi ynë, komandanti, njeriu i jashtëzakonshëm, Azem Galica, të cilin vdekja e papritur padrejtësisht e rrëmbeu, atëherë kur më së shumti kishim nevojë për të, ne shokët e tij që na printe me pjekurinë dhe arsyen e tij të veçantë dhe me forcën dhe moralin e palëkundshëm. Jemi krenarë që të patëm. Ti, gjithmonë do të mbetesh shembull për brezat e rinj dhe do të mbetesh i pavdekshëm në mendjet dhe zemrat tona. Azem, flij, flij i qetë, se, amanetin tënd do ta çojmë në vend e varri askund s’ka me t’u gjetë!” .Pas kësaj shokët e tjerë u larguan dhe kufomën e morën: Zenel Ujkani, Mehmet Konjuhi, Halim Përçeva, Hamit Bajqinofci dhe Shota Galica dhe e lëshuan në shpellën e thellë 73 metra dhe aty mbeti (47 vjet) deri në vitin 1971 kur Abdyl Krasniqi me disa të tjerë vendosën të zbulojnë vendin ku ndodhej kufoma në “Çukun që Kërcet” dhe e nxorën dhe me nderime u bë rivarrimi në oborrin e kullës së tij në Galicë. Në vitin 1990 në praninë e më shumë se 20 mijë qytetarëve ishte mbajtur tubim popullorë. Aty ishte ngritur Obelisku të cilin e kishte zbuluar Rashit Godeni , bashkëluftëtar i Azem Bejtës, i cili ndihmoi për zbulimin e vendit ku ishte varrosur Azem Bejta, njeriut që kishte besën, trimërinë dhe bujarinë i flijuar për liri dhe për atdhe. Me këtë fitoi pavdekshmërinë, shembull për brezat e ardhshëm, mbeti i nderuari i kombit, emri i të cilit shkruhet me germa të arta në historinë shqiptare, sepse ai bëri histori të lavdishme. Lufta për çlirim ishte traditë e familjes së Azem Bejtë Galicës nga fshati Galicë e Drenicës heroike. “Azemit iu shkri tërë familja. (Baba- Bejta u vra në luftë kundër turqve më 1907; austro-hungarezët në Galicë më 1916 ia vranë të dy vëllezërit më të mëdhenj, Seferin dhe Zenelin; në Obri në një përpjekje bullgarët, më 1917 e plagosën Azemin dhe vëllain e tij më të vogël Ademin e plagosën për vdekje; serbët më 1920 në Dubofc ia vranë nënë – Sherifen , motrën-Mihanen dhe ia masakruan mbesën dhe sa e sa të afërm të tjerë që u vranë e u masakruan me rastin e sulmit të ushtrisë dhe xhandarmërisë në zonën e lirë – Shqipninë e Vogël , më 15 korrik 1924)” . Me Dekretin presidencial nr. 435, datë 26 janar 1993, Azem Bejtë Galica është dekoruar me Urdhrin e Lirisë së Klasit të Parë.

Leave a Comment

Your email address will not be published.