Pro-evropianët mbajnë pushtetin, por të djathtët shënojnë rritje

Grupet e qendrës së djathtë e të majtë kanë ruajtur pushtetin, por humbën shumicën në zgjedhjet e Parlamentit Evropian.

Ndërsa, zgjedhjet evropiane këtë vit rezultuan të suksesshme për liberalët, të gjelbrit por edhe për nacionalistët, për të cilët u rrit përkrahja, ani pse jo ashtu siç ishte parashikuar.

Partitë pro-Bashkimit Evropian do të jenë shumicë, por grupet tradicionale duhet të bëjnë koalicione të reja.

Dalja në këto zgjedhje ishte më e madhja në 20 vjetët e fundit. E shkas për dalje në zgjedhje ishin politikat e imigrimit dhe vetëdijesimi për ngrohjen globale.

Partia Popullore si fituesja më e madhe e këtyre zgjedhjeve, ka bërë thirrje për refuzim të partive të ekstremit në dy të dy krahët.

“Si Parti Popullore ne bëjmë thirrje për stabilitet, që do të thotë se kategorikisht refuzojmë bashkëpunimin me ekstremistët e djathtë e të majtë që refuzuan Evropën dhe projektin e saj. Nuk do të ketë as biseda me këto parti dhe shpresoj që edhe partitë e tjera të kenë vija të kuqe për ekstremistët”, ka thënë Manfred Weber, kandidati i Partisë Popullore, transmeton KTV.

Ndërsa, ekstremistët e djathtë të prirë nga zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini, thanë se të dielën Evropa ndryshoi. Fitore të madhe shënuan edhe Marie Le Pen në Francë e Nigel Farange në Britani të Madhe.

“Partia Liga Veriore është e para në Itali derisa Marie Le Pen është e para me partinë e saj në Francë. I pari në Britani është Nigel Farage dhe kjo është shenjë se Evropa po ndryshon. Festa nuk duhet të jetë e gjatë – është koha për përgjegjësi dhe duhet të përqendrohemi në debatin evropian në të drejtën për të punuar, të kemi jetë të shëndetshme dhe familjet të kenë të drejtën të bëjnë fëmijë”, Matteo Salvni, lider i Partisë Liga.

Në bazë të vlerësimeve, Popullorët, socialistët dhe demokratët nuk mund të krijojnë koalicionin e madh pa përkrahjen e partive të tjera.

Partia Popullore fitoi 179 ulëse, për dallim prej vitit 2014 kur kishte 216 ulëse.

Socialistët dhe demokratët tani kanë 150 ulëse, ndërsa pesë vjet më parë, fituan 191 ulëse.

Në Hungari, fitues i madh ishte Viktor Orban që me partinë e tij kundër-imigrimit, fitoi 52 përqind ose 13 ulëse.

Në Spanjë, partia socialiste vazhdoi dominimin me 32.8 për qind të votave dhe siguroi 20 ulëse derisa partia e ekstremit të djathtë, Vox, siguroi tri ulëse.

Në Greqi, kryeministri Alexis Tsipras, tashmë i ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme, pasi partia opozitare Demokracia e Re fitoi 33.5 për qind të votave, duke lënë prapa partinë Syriza të Tsipras me 20 për qind.

Krahu i djathtë në Poloni fitoi 45 për qind të votave, ose 27 nga 51 ulëset e këtij shteti në Parlamentin Evropian.

Leave a Comment

Your email address will not be published.