Vetëm katër muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 15 qershor të vitit 2008 ka hyrë në fuqi kushtetuta e cila e përcakton Kosovën si shtet të pavarur, sovran , demokratik, unik dhe të pandashëm.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar më 9 prill të vitit 2008, bazamentin e ka në Dokumentin e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
Kushtetuta, Kosovën e definon si një shtet demokratik dhe laik, me shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, transmeton Koha.net.
Republika e Kosovës është shtet laik, shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitete tjera, thuhet në tekstin e Kushtetutës me hyrjen në fuqi të së cilës fillon zbatimi i planit të ish krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.
Hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës shënon fillimin e një periudhe të re të zhvillimeve politike.
Institucionet e Kosovës, kanë arritur që për një periudhë të shkurtër kohore, të përgatisin dhe miratojnë 40 ligje që dalin si propozim nga Pakoja e Ahtisaarit.
Hyrja në fuqi e Kushtetutës kundërshtohet nga përfaqësuesit e serbëve të cilët nuk janë pajtuar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e cila deri tani është njohur nga më shumë se 115 vende të botës.