Skenari serb për zgjidhjen e çështjes së Kosovës

Në esencë, pikëpamja serbe për të ashtuquajturën çështje e Kosovës, vështruar përmes historisë, ka qenë gjithmonë e njëjtë – dëbimi i shqiptarëve nga rajoni i Kosovës. Shikuar historikisht, kanë ndryshuar vetëm ambiciet dhe mënyrat me të cilat pushtetet serbe kanë synuar ta realizojnë. Metoda e dhunshme është nënkuptuar, sepse pastrimin etnik nuk është e mundur ta realizosh ndryshe, pos me dhunë. Madje edhe atëherë kur u kanë premtuar gjoja një jetë më të mirë në ndonjë vend tjetër, si Turqinë, në gjysmën e shekullit të kaluar.


Pas represionit gjatë shumë dekadash mbi shqiptarët e Kosovës në historinë më të re, përkatësisht përfundimit të agresionit në krahinën e saj të dikurshme jugore, NATO me bombardime dhe me reduktimin e Serbisë në kufijtë jashtë të cilëve pushtetmbajtësit më nuk kanë pasur mundësinë që projektin e “Serbisë së madhe” ta realizojnë në vepër, duke e sulmuar e pushtuar popullatën në republikat tjera të ish-Jugosllavisë, ambiciet kanë shpërthyer.

Kështu, nga fillimi i të dymijëtes apo të ashtuquajturit revolucion të pesë tetorit – ndërrimi i regjimit kriminel të luftës së Slobodan Milosevicit, ndarja e Kosovës sërish bëhet obsesion i politikanëve të atëhershëm, nga cili do pozicion që të jenë paraqitur. Nacionalistët serbë në të vërtetë janë e vetmja kategori politike e cila ka vepruar dhe ka pasur rast të krijojë ide politike në Serbi, kështu që ideja për ndarje sërish është shfaqur si pasojë logjike e të mëparshmes, të mbështetur në okupimin praktik, pastrim etnik dhe pushtim të territorit “të spastruar” nga popullata shqiptare.

“Të shpëtohet ajo që mund të shpëtohet” – bëhet atëherë, siç është edhe sot, gati njëzet vite më pas, ideja prijëse themelore në të ashtuquajturën zgjidhje e çështjes së Kosovës. Atentati ndaj ish-kryeministrit Zoran Djindjic, i cili vjen në pushtet me revolucionin e pesë tetorit dhe vritet sepse menjëherë u është përgjigjur ftesave të Tribunalit të Hagës, duke arrestuar të gjithë njerëzit kryesorë regjimit kriminal, më së shumti dhe pikërisht për shkak të krimeve kundër njerëzimit të bëra në Kosovë, në Serbi shpesh interpretohet si atentat të cilin e kanë bërë forca të jashtme, sepse ka dashur që me ndarje ta zgjidhë menjëherë çështjen e Kosovës.

Shtrembërimin e tillë të qëllimshëm të fakteve për vrasjen e kryeministrit e kanë propaguar nacionalistët, duke dashur të përvetësojnë trashëgiminë e Djindjicit dhe popullaritetin në popull të arritur vetëm pas vdekjes, ndonëse, deri sa ka qenë gjallë e kanë trajtuar si tradhtar dhe mercenar të huaj.

Sipas tyre, Djindjic ka dashur që menjëherë ta realizojë në vepër idenë përvetësues i të cilës në atë çast ka qenë i ashtuquajturi baba i kombit – Dobrica Cosic. Shkrimtar, nacionalist, dëmtues politik dhe në të vërtetë turp i popullit të tij, i cili shqiptarët në librat e tij i ka trajtuar në mënyrë të hapur raciste – si qenie gjenetikisht më të ulëta. Se edhe Djindjici, po ashtu, ka qenë nacionalist, përkatësisht se, si thuhet për të në Serbi – shpesh ka shkuar në kanape te Cosici, kjo është gjë e njohur. Po ashtu, se nuk e ka pasur jo të afërt idenë për ndarjen e Kosovës, njësoj, duket se nuk është çështje kontestuese. Por, se është vrarë për këtë shkak, vërtet është vetëm edhe një manipulim i ri në vargun e manipulimeve brutale nga ana e elitës politike nacionaliste.

Në vitet të cilat kanë pasuar, shenjë se kjo elitë kulturore e politike nuk është as në gjurmë të shërimit nacional, ka treguar ajo që, në vend që në shoqëri të inicohet ballafaqimi me të kaluarën kriminale, përkatësisht plasimin e të vërtetës dhe fakteve në lidhje me tërë të këqijat të cilat politikanët me ndihmën e policisë dhe forcave ushtarake kanë bërë ndaj shqiptarëve të Kosovës, në emër e në kurriz të popullit të tyre – qytetarëve të Serbisë, dhuna fizike është rritur dhe përmbledhur në atë retorike. Shqiptarët e Kosovës janë trajtuar edhe më tej në mënyrë raciste dhe si terroristë të rryer në kontekstin i cili ka shënuar çlirimin e tyre përfundimtare nga dora e zezë e Milosevicit.

Me ardhjen në pushtet të Aleksandar Vucicit, në shumë qarqe të njohur si ndoshta i vetmi i cili mund ta zgjidhë të ashtuquajturën çështje të Kosovës, sepse përfaqëson paradigmën e nacionalistit dhe pikërisht të racistit më të zëshëm në raport me shqiptarët e Kosovës, dhe se si i tillë është i vetmi i cili mund ta qetësojë pasionin nacionalist te qytetarët duke njohur pavarësinë e Kosovës, ideja e ndarjes së Kosovës, më parë është ngrirë plotësisht.

Nga qarqe të afërta me Vucicin, ka mundur të dëgjohet se një mënyrë e tillë e përfundimit të krizës së Kosovës ka dështuar pakthyeshëm pas vrasjes së Djindjicit dhe mungesës së vullnetit të Vojislav Kostunivës, Boris Tadicit, Vuk Jeremicit që në vitet e pushtetit të tyre fare të shqyrtojnë që çkado qoftë të zgjidhin në idhje me këtë çështje. Për ta Kosova është serbe dhe për këtë as që kanë dashur të polemizojnë. Kurrëfarë ndarjeje nuk vjen në konsiderim sepse, propagonin ata, Kosova së shpejti do të kthehet në kufijtë e Serbisë. Një politikë e tillë ka mbijetuar madje edhe pas shpalljes zyrtare të pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008. Kuptohet se mu me një politikë të tillë edhe Aleksandar Vucic e ka marrë pushtetin.

Inicimi i dialogut të brendshëm mbi këtë temë, verën e kaluar, për shumëkend, plotësisht me arsye, ka qenë vetëm edhe një mënyrë populliste, e autokratit Vucic që të qëndrojë në pushtet, i shtyrë nga jashtë që përfundimisht ta zgjidhë çështjen e marrëdhënieve të Serbisë e Kosovës. Retorika e tij e urrejtjes dhe në masë të madhe nxitëse kundër popullit dhe përfaqësuesve të pushtetit të Kosovës, me të cilët ka filluar drejtpërdrejt të negociojë, janë shprehje e mënyrës me të cilën sërish i është kthyer idesë për ndarjen e krahinës së dikurshme jugore serbe.

Parimi i përfaqësuar – shqiptarët nuk mund t’i fitojnë të gjitha, ndërsa serbët asgjë – është bërë politikë zyrtare e Serbisë ndaj Kosovës. Kjo ide në vete bart tërë ngarkesën e urrejtjes nacionaliste dhe mosdurimit ndaj shqiptarëve të Kosovës, të cilët, përsëri, sipas retorikës raciste, janë popull me të cilin për të ashtuquajturit serbë hyjnorë, bashkëjetesa nuk është e mundur. Prandaj duhet të ndahemi prej tyre fizikisht.

Për fund, gjithnjë deri sa në Serbi të dominojë një retorikë e tillë e urrejtjes ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe atë nga përfaqësuesit më të lartë të pushtetit dhe anëtarëve më të nderuar të komunitetit, lufta apo ndarja janë të vetmet përfundime të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, sepse janë pasojë logjike e politikës së tillë. Sado që në realizimin e saj kjo politikë të jetë joreale apo, për fat të keq, reale.

(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës beogradase “Danas”. Teksti është i shkruar enkas për Gazetën Metro)

Leave a Comment

Your email address will not be published.