Shkup, 2 nëntor – Me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në Shkup u promovua trilogjia “Gjergjat në drita përkrenaresh”, përkatësisht romanet “Dragoi”, “Udhëkryqi” dhe “Flakadanët e Lirisë” të autorit Avni Deahri. Sipas panelistëve romanet në fjalë ngërthejnë një shtrirje epike të mahnitshme që nga shtatzënia e Vojsës me Gjergjin që do të bëhej kryetrim i Arbërisë, e deri në ditën e kortezhit të të Kastriotit në Lezhë. Kohërisht, drama e trilogjisë shtrihet në kufijtë gati shtatëdhjetë vjeçare të mesjetës shqiptare.
“Avni Dehari me romanet e trilogjisë “Gjergjat në drita përkrenaresh” me mjeshtri të rrallë u jep jetë ngjarjeve historike duke bërë që mesjetën shqiptare ta përjetojmë si diçka krejt reale me peizazhet, diellin, ajrin, pasionet, dashurinë, mëritë, mallin, pabesitë e njerëzve e të shteteve dhe sidomos fatin e popujve të vegjël dhe të vetmuar”, tha Rushit Ramabaja, redaktor.