DANTE ALIGERI, poet i madh italian që nuk e hoqi kapelën në kishë

Kronistët tregojnë se një ditë, poeti i madh, duke dëgjuar meshën, nuk u përkul në gjunjë dhe nuk e hoqi kapelën nga koka. Ndërkaq, disa keqdashës e akuzuan te peshkopi për këtë paudhësi. Për këtë peshkopi e thirri dhe Danteja iu përgjigj: “Në të vërtetë, mua më kishte rrëmbyer aq shumë mendjen Zoti atë çast, saqë as vetë nuk e kuptoja se ç’veprime bënte trupi im. Kurse ata që erdhën te Ju për të më akuzuar, e kishin mendjen shumë larg nga Zoti përderisa merreshin me mua”.

Disa miq e këshilluan Danten të ndahej nga gruaja se nuk e kishte besnike. Atëherë Danteja iu kthye atyre:

– Më thoni, ju lutem, jetën e gruas time e njihni ju më mirë, apo ajo vetë të sajën.

– Ajo, – i thanë ata.

– E po mirë atëherë, ajo thotë se ju gënjeni, prandaj ju lutem më lini të qetë.

Gaztori i një princi e pyeti Danten:

– Si është e mundur që ju, një njeri kaq i zoti, jeni i varfër dhe unë kaq injorant dhe budalla, jam i pasur?

– Unë do të bëhem i pasur, – u përgjigj ai, – kur të kërkoj një njeri të karakterit tim, ashtu si do të kesh gjetur ti një njeri të karakterit tënd.

Duke kaluar një ditë nëpër një rrugë të Firences, Danteja dëgjoi një kovaç që po recitonte duke i gjymtuar disa vargje të Komedisë Hyjnore. Danteja, pa hapur gojën, hyri në ofiçinë – mori çekanin, daltën dhe gjithçka gjeti dhe i hodhi në rrugë. Pastaj i tha kovaçit: “Ti më shkatërrove veprën time dhe unë po hakmerrem duke shkatërruar tënden”.

Tregojnë se Danteja kishte një kujtesë të hatashme dhe një ditë takoi dikë në rrugë, i cili e pyeti papritmas:

– Cili është ushqimi më i mirë për ty?

– Një vezë! – u përgjigj poeti.

Një vit më vonë, po ai kalimtar e takoi prapë Danten dhe e pyeti:

– Me çfarë?

– Me kripë, – u përgjigj poeti menjëherë.

Leave a Comment

Your email address will not be published.