Gogoli që i shkruante shpirtrave të gjallë!

Nikollai Gogol (1809-1852), shkrimtar i njohur rus, themelues i realizmit kritik në letërsinë ruse

Në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare, Gogoli la vendin e lindjes për të shkuar në Petërburg, që të mbaronte studimet. Në vendlindje, midis, njerëzve të dashur, la edhe një vajzë që e dashuronte.

– Mos prano të flasësh me mua, – i tha ai vajzës, – në qoftë se nuk do të bëhem i shquar. Katër vjet më pas, kur Gogoli ishte pothuaj njëzetetre vjeç, botoi librin e tij të parë me tregime “Vegimet e kasolles”.

Në tipografi, ku vajti për të korrigjuar bocat e librit, e rrethuan të gjithë tipografët dhe nisën të buzëqeshnin. Ata i thanë se tregimet e tij i kishin kënaqur. Prandaj edhe i shprehën Gogolit mirënjohjen e tyre duke qeshur.

– Atëherë kuptova – tha Gogoli me vete, – se unë isha një shkrimtar i pëlqyer prej popullit.

Një ditë, kolegu dhe miku Aksakov iu ankua Gogolit për vështirësinë e gjetjes së temave interesante.

– Jeta, – tha ai, – është monotone dhe e varfër, nuk ka asnjë të re dhe interesante.

Gogoli e pa dhe i tha me ironi: “Komiciteti është fshehur në çdo gjë. Në qoftë se artisti do të dijë të na tregojë se në ç’situatë qesharake jetojmë, në të gjithë do të mbetemi të gajasur”.

Shfaqja e parë “Revizori”, u dha më 11 Prill 1836. Gogoli ishte atëherë 27 vjeç. Në këtë shfaqje Cari u kënaq së tepërmi. Kur mbaroi shfaqja, u tha atyre që e shoqëronin:

– Në këtë komedi të djallëzuar ka për të gjithë dhe secili prej nesh ka diçka të veten aty. Unë ndoshta më shumë se të tjerët.

Censuruesi i romanit “Shpirtra të vdekur” të Gogolit tha: “Nuk mundem kurrë të lejoj botimin e një libri që ka një titull të tillë! Si? ‘Shpirtra të vdekur’ nuk ka dhe nuk mund të ketë. Autori me këtë vepër ka guxuar të verë në dyshim pavdekësinë e shpirtit! Atëherë, miqtë e romancierit u përpoqën t’i shpjegonin censuruesit se ishte fjala për një batakçi që blinte te fisnikët bujkrobërit e vdekur, të cilët i paraqiste si të gjallë që të merrte paradhënie nga banka”.

– E po, si kërkon, pra, prej meje të jap autorizimin për botimin e një libri që fyen institucionin e bujkrobërisë? – thirri ai. Botimi i këtij libri atëherë u ndalua.

Gogoli i lexoi Pushkinit të madh dorëshkrimin e “Shpirtrave të vdekur”. Gjatë leximit, Pushkini u prish në fytyrë dhe e mbuloi trishtimi. Kur kishte mbaruar së lexuari Gogoli, Pushkini psherëtiu thellë dhe tha: “O zot! Sa e mjerë është kjo Rusia jonë!”

Kjo thirrje e habiti Gogolin. Ai kishte pasur dëshirë vetëm të kënaqte lexuesit. Libri i tij kishte rëndësi më të madhe, sepse ishte një satirë e hidhur për gjendjen e vendit të tij.

Vitet e fundit të Gogolit ishin mjaft të trishtueshme. Ai kaloi në një gjendje të rëndë shpirtërore. Fjalët e tij të fundit qenë: “Një shkallë, shpejt, më sillni një shkallë”.

Më vonë u gjet një skicë testamenti ku ishte shkruar: “Qofshi shpirtra të gjallë dhe jo shpirtra të vdekur”. 

Leave a Comment

Your email address will not be published.